Ndërlidhjet

Stoltenberg: Kërkohet presion i vazhdueshëm ndaj Rusisë


Pamje nga një takim i presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas)

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar presion të vazhdueshëm diplomatik dhe sanksione kundër Rusisë, derisa Moska ta respektoj marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit 2015 për përfundimin e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbajë presionin ndaj Rusisë për respektimin e obligimeve të veta, e veçanërisht derisa situata e sigurisë në pjesën lindore të Ukrainës mbetet shumë serioze, është me rëndësi që sanksionet ekonimike kundër Rusisë të mbahen” tha sot zoti Stoltenberg gjatë një konference për gazetarë, pas takimit të Komisionit NATO-Ukrainë, në kuadër të tubimit dyditësh të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Ndaras, ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se pret që liderët e BE-sa t’i vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë, kur ata do të takohen javën e ardhshme në Bruksel.

Zoti Stoltenberg tha se ka “rritje masive të shkeljes së armëpushimit” në pjesën lindore të Ukrainës, ku prej prillit të vitit 2014, nga luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më se 9,600 vetë.

Javën e kaluar, takimi i minstrave të jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë, që synonte ta intensifikonte procesin e paqes, përfundoi pa ndonjë kthesë.

XS
SM
MD
LG