Ndërlidhjet

Johnson akuzon sauditët, iranianët si luftënxitës


Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson
Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson e ka akuzuar Iranin, Arabinë Saudite si dhe shtete të tjera të Lindjes së Mesme se janë të përfshirë në nxitjen e luftës tek të tjerët.

Gazeta britanike, “The Guardian” ka publikuar pamje të një konference në Romë, të mbajtur javën e kaluar, në të cilën Johnson bisedon për politikanë që “shtrembërojnë dhe abuzojnë fenë dhe variacione të ndryshme të fesë së njejtë me qëllim që të shtyjnë para objektivat e tyre politikë”.

Sekretari i Jashtëm britanik ka thënë se rajonit i mungojnë personalitete të rëndësishme të cilat do të ishin të gatshme “të shikojnë përtej sunitëve, shiitëve apo çfarëdo grupi tek pala tjetër dhe të bashkonin njerëzit...”

“Kjo është ajo që po mungon”, ka thënë ai dhe ka shtuar “kjo është tragjedia”.

Ai ka vazhduar më tej duke thënë se “për këtë arsye sauditët, Irani, gjithë të tjerët, duke ndërhyrë dhe duke luajtur me të tjerët si me kukulla po nxisin luftëra”.

Video është zbuluar në kohën kur kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se ajo e ka të “qartë për kërcënimin” që e përfaqëson Irani për Lindjen e Mesme dhe ka shtuar se ajo do të punonte me shtetet e Gjirit Persik që ta “kundërshtojë këtë kërcënim”.

Ajo ka bërë këto komente më 7 dhjetor para përfaqësuesve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit që vijnë nga Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahrejni dhe Omani.

Ministria e jashtme e Iranit është përgjigjur duke thënë se Britania “nuk është në pozitën prej nga mund të akuzojë të tjerët për ndërhyrje në çështjet rajonale”.

XS
SM
MD
LG