Ndërlidhjet

Britani: Moska dhe Damasku i bllokojnë përpjekjet për paqe në Siri


Shefi i agjencisë MI6 Alex Younger gjatë fjalimit të sotëm në Londër

Shefi i inteligjencës sekrete të Britanisë, Alex Younger, tha sot se qeveritë e Rusisë dhe Sirisë po i bllokojnë përpjekjet për përfundimin e luftës në Siri dhe për t’i shkaktuar disfatë grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), duke i trajtuar të gjithë kundërshtarët e presidentit sirian, Bashar al-Assad, si terroristë.

“Rusia dhe regjimi i Sirisë po synojnë të krijojnë shkretëtirë dhe ta quajnë atë paqe”, tha zoti Younger, dhe ka shtuar se “tragjedia njerëzore është tejet pikëlluese”.

“Ne nuk mund të jemi të sigurt nga kërcënimi që e ka zanafillën nga ajo tokë, derisa lufta civile të përfundoj”, tha Alex Younger.

Në fjalimin e tij të parë madhor në dy vitet prej se është në këtë detyrë, zoti Younger ka sugjeruar se involvimi i Rusisë në Siri, ku Moska po e mbështet qeverinë e Assadit, gjatë luftës civile për më tepër se pesë vjet, po i shkatërron përpjekjet për eliminimin e këtij kërcënimi.

“Derisa po flas, strukturat e organizuara të jashtme në nivel të lartë brenda IS-it, megjithqë ata ballafaqohen me kërcënim ushtarak, po bëjnë komplote për dhunë kundër Britanisë dhe aleatët tanë, bile pa qenë të detyruar të largohen nga Siria”, tha Alex Younger, gjatë fjalimit të tij në selinë e agjencisë MI6 në Londër.

Ai theksoi se prej qershorit të vitit 2013, janë zbuluar 12 komplote terrori në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën tha se ballafaqohet me kërcënim të paprecedent nga terrori.

XS
SM
MD
LG