Ndërlidhjet

Qeveria ka marrë nën kontroll një qark me rëndësi në Alepo


Ilustrim
Ilustrim

Ushtria siriane e ka rimarrë nën kontroll një qark të madh të Alepos, por është dashur të tërhiqet nga Palmira, pasi luftëtarët e grupit, Shteti Islamik e kanë rimarrë qytetin antik.

Grupi “Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut” ka njoftuar se forcat siriane kanë marrë nën kontroll qarkun jugperëndimor Sheikh Said nga rebelët mëngjesin e 12 dhjetorit.

Udhëheqësi i këtij grupi, Rami Abdel Rahman ka thënë se ushtria siriane tani e ka “tërësisht nën kontroll” qarkun e rëndësishëm, ndërsa kontrollon rreth 90 % të pjesëve të qytetit që dikur kontrolloheshin nga luftëtarët opozitarë.

Alepo ka qenë e ndarë prej vitit 2012 pasi grupet rebele kontrollonin pjesën lindore, ndërsa forcat qeveritare kontrollonin pjesën perëndimore.

Një ofensivë e forcave siriane në terren të ndihmuar nga sulmet ajrore siriane dhe ato ruse ka shkaktuar humbje të mëdha për forcat opozitare.

Sulmet ajrore kanë vazhduar në Alepon lindore edhe më 12 dhjetor, sulme këto që në përgjithësi kanë vrarë qindra civilë dhe kanë nxitur dënimin e tyre nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, 200 kilometra në juglindore të Alepos, forcat e IS-it e kanë rimarrë qytetin Palmira, pasi forcat siriane i kanë braktisur pozicionet e tyre në këtë qytet.

Zyrtarët sirianë kanë thënë se ata kanë larguar rreth 80 % të qytetarëve të Palmirës para se të tërhiqeshin vet. Qeveria siriane e ka çliruar Palmirën nga militantët e IS-it në muajin mars.

Së paku 250 mijë njerëz janë vrarë dhe miliona të tjera janë zhvendosur prejse ka nisur lufta në Siri, në marsin e vitit 2011.

XS
SM
MD
LG