Ndërlidhjet

Thaçi vizitoi memorialin e viktimave serbe të luftës, në Hoçë të Madhe


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para memorialit në Hoçë të Madhe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot përkujtimoret në Hoçë të Madhe dhe në Suharekë për të përkujtuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë dhe për të bërë thirrje për të vërtetën dhe për pajtim.

Pasi vuri lule në memorialin në Hoçë të Madhe, së bashku me Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, presidenti Thaçi, sipas një komunikate për media, kërkoi që të punohet për të vërtetën dhe për pajtim.

“Sapo vumë lule në këtë përkujtimore për 84 qytetarë serbë të Kosovës për të përkujtuar viktimat, pa dallim nacionaliteti. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe për të kërkuar pajtim ”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se për të vërtetën kërkohet sakrificë. “Për pajtim, secili prej nesh duhet ngritur mbi vetveten”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në emër dhe në shërbim të së ardhmes demokratike të Kosovës.

Presidenti Thaçi, vazhdon komunikata, kërkoi që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, që të ngadhënjejë drejtësia dhe të ndodhë pajtimi.

“Kosova nuk duhet të mbetet peng i të kaluarës, por duhet të ndërtojmë të ardhmen evropiane të Kosovës”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi, gjithashtu shtoi se nga takimet që ka pasur me familjarët e të pagjeturve të të gjitha komuniteteve, është optimist për pajtimin në Kosovë.

Ndërsa, Prenk Gjetaj u shpreh se institucionet shtetërore të Kosovës vazhdojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Është e drejtë e familjeve që të mësojnë të vërtetën për fatin e familjarëve të tyre”, u shpreh z. Gjetaj.

Ndërkaq në Suharekë, presidenti Thaçi vuri lule te memoriali i familjes Berisha. “Jemi këtu të përkujtojmë familjen Berisha dhe për të kërkuar drejtësi të plotë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Do të punojmë maksimalisht, jo të negociojmë, por të këmbëngulim që sa më parë çështja e të pagjeturve të zbardhet”, përfundoi presidenti Thaçi.

XS
SM
MD
LG