Ndërlidhjet

Kritiku i Putinit, Aleksei Navalni garon për president të Rusisë 


Politikani opozitar rus, Aleksei Navalni gjatë një prej seancave gjyqësore kundër tij

Lideri i njohur opozitar rus, Aleksei Navalni ka njoftuar se do të garojë për president të Rusisë në zgjedhjet që do të mbahen në mars të vitit 2018.

“Unë do të marrë pjesë në garën për postin e presidentit të Rusisë”, ka thënë Navalni përmes një deklarate me video e publikuar në një faqe të re interneti për fushatën zgjedhore.

Kjo mund ta bëjë Navalnin, një kritik i zëshëm i presidentit Vladimir Putin, si sfidues të liderit afatgjatë rus në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Putin ka të drejtë ligjore që të kërkojë një mandat të ri gjashtë vjeçar, diçka që edhe pritet ta bëjë, por ai ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se do të garojë.

“Rusia duhet të jetë një vend i pasur, i lirë dhe i fuqishëm… Unë po i hyjë këtyre zgjedhjeve me një program për ta bërë Rusinë të fuqishme dhe moderne. Të ndalojë korrupsionin. Për të kthyer pasuritë e Rusisë në prosperitet për çdo familje”, ka thënë më tej Navalni.

“Zgjedhjet presidenciale janë diskutimi për rrugën e zhvillimit të vendit”, ka thënë lideri opozitar rus.

Navalni ka qenë një nga udhëheqësit kyç të protestave masive anti qeveritare në vitet 2011 dhe më 2012, ndërsa Putinin e ka trazuar me disa raporte për afera të dyshuara korruptive të zyrtarëve të lartë rusë.

Ai është dënuar dy herë për krime financiare në procese që ai thotë janë hakmarrje e diktuar nga Kremlini për aktivitetet e tij opozitare. Mirëpo, Gjykata Supreme ruse në muajin nëntor e ka hedhur poshtë një nga rastet kundër tij duke e kthyer në rigjykim, duke ia hequr kështu një pengesë ligjore që ia pamundësonte garën për president.

Nëse ai do të dënohet pas përsëritjes së procesit gjyqësor, ai megjithatë ka mundësi t’i ndalohet gara për president të Rusisë.

XS
SM
MD
LG