Ndërlidhjet

Alepo: Duket se armëpushimi është në rrezik


Pamje e një pjese të qytetit Alepo që është nën kontroll të kryengritësve
Pamje e një pjese të qytetit Alepo që është nën kontroll të kryengritësve

Marrëveshja për armëpushim për evakuimin e luftëtarëve kryengritës dhe civilëve nga qyteti Alepo në Siri, duket se është rrezikuar, pas raporteve për luftime të ashpra në këtë qytet.

Osbervatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri ka konfirmuar se ka pasur “përleshje shumë intensive në secilën linjë të frontit”.

Më herët Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e qeverisë së Sirisë e kanë vazhduar sulmin e tyre në pjesën lindore të qytetit Alepo, pasi kryengritësit, siç tha kjo ministri, e kanë shkelur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Rusia.

Në Ankara, ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se qeveria e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe “grupet e tjera” po përpiqeshin ta pengojnë marrëveshjen për armëpushim.

Regjimi i Assadit është mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë dhe nga milicitë shiite nga Irani dhe Libani, në fushatën e tij për marrjen e plotë të kontrollit në Alepo, që para pesë viteve, pra para fillimit të luftës, ishte qyteti me numrin më të madh të banorëve në Siri.

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se pret që rezistenca e kryengritësve në pjesën lindore të Alepos, të përfundoj “gjatë dy ose tri ditëve të ardhshme”.

Gjatë 24 orëve të kaluar afro 6 mijë civilë janë larguar nga lagjet e qytetit, që janë nën kontroll të kryengritësve, ka thënë Ministria e mbrojtjes e Rusisë dhe se 366 luftëtarë kryengritës i kanë dorëzuar armët e tyre dhe janë larguar.

XS
SM
MD
LG