Ndërlidhjet

Ligji për sanksionet ndaj Iranit hyn në fuqi pa nënshkrim të Obamës


Presidenti amerikan, Barack Obama
Presidenti amerikan, Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama nuk e ka nënshkruar ligjin për zgjatjen e sanksioneve ndaj Iranit edhe për 10 vjet, ndonëse ka lejuar që ai të hyjë në fuqi.

Obama ka lejuar që të kalojë afati më 14 dhjetor për të nënshkruar ligjin i cili mundëson vendosjen e sanksioneve nga SHBA-të ndaj kompanive që bëjnë biznes me Iranin.

Ai nuk e ka nënshkruar, por as nuk ka përdorur veto ndaj tij, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest e ka konfirmuar se ligji hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin e Obamës.

Irani i ka kërkuar Obamës që të mos e nënshkruaj ligjin ndërsa është zotuar se do t’i përgjigjet SHBA-së nëse ligji hyn në fuqi, duke thënë se kjo e shkelë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Marrëveshja, në këmbim të zvogëlimit të programit bërthamor të Iranit, sanksionet ndaj republikës islamike do të lehtësoheshin.

Mirëpo Obama ka thënë ligji i ri nuk bënë ndonjë dallim në raport me këtë marrëveshje pasi Shtëpia e Bardhë për aq sa ai ka mandat do të pezullojë të gjitha sanksionet që kanë të bëjnë me programin bërthamor të Iranit.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili e fillon mandatin në muajin janar, ka qenë shumë kritik ndaj marrëvëshjes në fjalë, e cila është e hartuar në atë formë që e pengon Iranin të prodhojë armë bërthamore.

Një zyrtar i lartë rus ka thënë sot se do të ishte e “pafalshme” që marrëveshja e nënshkruar nga Irani dhe gjashtë fuqi botërore, të fundosej.

“Kjo marrëveshje duhet të mbrohet”, ka thënë Mikhail Ulyanov, zyrtari i ministrisë së jashtme të Rusisë për kontrollim të armëve dhe mos përhapje të armëve bërthamore.

XS
SM
MD
LG