Ndërlidhjet

Siberi: Nga helimimi masiv me alkool, 60 vetë të vdekur


Ilustrim

Numri i të vdekurve nga konsumimi i një losioni për banjo, në vend të alkoolit, në Irkutsk të Siberisë në Rusi, ka arritur në 60 vetë.

Zëdhënësja e Ministrisë rajonale të shëndetësisë, Tatyana Shkurskaya, tha sot se dy trupa të tjerë të pajetë janë gjetur gjatë natës në një shtëpi private.

Kjo zëdhënëse tha se afro 40 meshkuj dhe femra mbeten në spital, pas trajtimit për helmim me alkool, pasi kanë konsumuar losion për larje.

Më 19 dhjetor, shitja e të gjitha fluideve, që përmbajnë alkool, por nuk janë për pije, ishin ndaluar nga autoritetet në qytetin Irkutsk. Një ditë më vonë, ndalesa është zgjeruar edhe në gjithë rajonin.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se losioni i banjos përmbanë metanol, që mund të jetë fatal nëse pihet në vend të alkoolit të rregullt ose etanolit.

Ky komitet, po ashtu, ka njoftuar se 11 vetë, të dyshuar për shitje të losionit janë arrestuar, ndërsa janë gjetur dy lokale ilegale, që e prodhonin këtë losion.

Helmimi me alkool surrogat është dukuri e shpeshtë në Rusi, ku njerëzit ndonjeherë pijnë substanca që përmbajnë alkool, pasi kushtojnë më lirë se pijet alkoolike.

Agjencia për mbrojtjen e konsumatorëve në Rusi, Rospotrebnadzor, në muajin nëntor ka njoftuar për 36 mijë raste të helmimit me alkool në gjithë vendin, në nëntë muajt e parë të vitit 2016, ndërsa 9,300 vetë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG