Ndërlidhjet

Gjermani: Kërkohet një i dyshuar tunizian për sulmin në Berlin


Pamje gjatë nderimit për të vrarët në tregun e Krishtlindjeve në Berlin
Pamje gjatë nderimit për të vrarët në tregun e Krishtlindjeve në Berlin

Mediat gjermane raportojnë se policia e ka lansuar një kërkim masiv për një person tunizian, pasi dokumentet e tij janë gjetur në kamionin, me të cilin është sulmuar tregu i Krishtlindjeve në Berlin, duke i vrarë së paku 12 vetë dhe plagosur afro 50 të tjerë.

E përditshmja Welt dhe javorja Der Spiegel kanë raportuar sot se ky person kishte arritur në Gjermani si refugjat, më herët këtë vit.

Raportet thonë se dokumentet e tij të identifikimit ishin gjetur dje nga policia në kabinën e kamionit.

Nga ana tjetër, policia sot ka shprehur besim se së shpejti do ta gjejë shoferin e kamionit, por u ka tërhequr vërejtjen njerëzve në Berlin, që të jenë të vetëdijshëm se personi në ikje është i armatosur.

“Jam relativisht i sigurt se ne me gjasë nesër ose në të ardhmen e afërt, do të jemi në gjendje ta paraqesim të dyshuarin e ri”, tha Andre Schulz, shef i Asociacionit të detektivëve kriminalë të Gjermanisë, në një rrjet televiziv kombëtar.

Sipas tij, ka “dëshmi të mirë” derisa afro 500 vetë kanë dhënë informacione për këtë krim.

Policia e Berlinit, fillimisht e arrestoi një migrant 23 vjeçar nga Pakistani, pas sulmit në Tregun e Krishtlindjeve në Berlin, por e liroi atë mbrëmë vonë, pasi nuk është gjetur dëshmi që e lidhë atë me sulmin.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se sulmuesi ishte “ushtar i Shtetit Islamik”, që po përgjigjej ndaj ftesave të grupit për t’i marrë në shënjestër shtetasit e vendeve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që luftojnë kundër IS-it në Siri dhe Irak.

XS
SM
MD
LG