Ndërlidhjet

Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2017


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar edhe në leximin e dytë buxhetin e vitit 2017, i cili kap shumën e mbi dy miliardë eurosh.

Pas një diskutimi të gjatë të zhvilluar gjatë seancës të së enjtes, 70 nga 78 deputetë votuan në favor të miratimit të buxhetit.

Përmes debatesh dhe mospajtimesh, jo vetëm ndërmjet deputetëve të pozitës e opozitës, por edhe të vetë partnerëve të koalicionit qeverisës, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar të enjten për projektbuxhetin e vitit 2017, që fillimisht u prezantua nga ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Hoti tha se buxheti, që kap shifrën e mbi 2 miliardë eurosh, e ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të gjitha pozicionet buxhetore me të cilat është përgatitur ai.

Ministri Hoti tha se “bazuar në vlerësimet e Ministrisë së Financave, rritja ekonomike për vitin 2017 pritet të arrijë në mbi 4.4 për qind”.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar deputetët që të votojnë buxhetin për vitin 2017, pasi që, siç e ka theksuar ai, ky buxhet si i tillë është buxhet zhvillimor.

Sipas tij, buxheti për vitin 2017 shpreh përcaktimin për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe stabilitetit fiskal brenda vendit.

“Ky buxhet është refleksion i reformave dhe avancimit të parametrave makro ekonomike, është refleksion i përmirësimit të ambientit të të bërit biznes. Përmes këtij buxheti për herë të parë mbi 2 miliardë euro Qeveria e Kosovës synon të rris investimin në fushën kapitale në mbi 700 milionë euro ose 45 për qind më shumë në vitin 2017 sesa që ka qenë në këtë vit”, ka bërë të ditur Mustafa.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, që në parim e ka përkrahur buxhetin për vitin 2017, ishte kritik në veçanti në orientimin e mjeteve që i janë bërë buxhetit.

Zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, ka theksuar se është bërë ndarje joproporcionale e mjeteve nëpër komuna.

Po ashtu, sipas Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk i janë ndarë mjete të nevojshme institucioneve të drejtësisë dhe arsimit.

Hadërgjonaj ka drejtuar kritika edhe në rritjen e borxheve që janë paraparë në buxhetin e vitit 2017 .

“Rritja e buxhetit, duke rritur borxhet, nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë, nuk është mirë që gjeneratat e ardhshme të paguajnë koston e punës sonë. Rritja e borxhit për 177 milionë euro më shumë se krahasuar me vitin e kaluar është trend i përshpejtuar i rritjes, i cili nuk reflekton në mënyrë pozitive, sidomos kur efektet e rritjes së këtyre borxheve nuk japin rezultate e tyre në të mirë të mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Hadërgjonaj.

Ndërkohë, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, edhe sikur rritja ekonomike të jetë kjo çfarë po prezantohet në buxhetin e vitit 2017, Kosova nuk është duke u zhvilluar dhe prodhuar mirëqenie të ngritur për qytetarët.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka theksuar se vazhdimi i kësaj situate, në aspektin ekonomik, po bën që interesimi i qytetarëve të Kosovës për të ikur jashtë vendit të rritet.

Ekonomia e Kosovës, ka thënë Ymeri, është e dobët dhe ka një kthim të ulët, edhe për shkak të mos shpërndarjes së barabartë të pasurisë.

“Logjika e kësaj qeverie, sikur edhe e qeverive të mëparshme, është që në vend se pasuria publike të shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë, ajo koncentrohet në duart e disave edhe formalisht dhe legalisht, por edhe në aspektin e korrupsionit, pra ilegalisht”.

“Po ashtu, tek tatimet në të ardhura, ajo që mund të quhet një klasë e mesme, që fatkeqësisht po shkon në zhdukje këtu në Kosovë, e bartë barrën kryesore të financimit të kësaj pjese të buxhetit. Dhe kështu, prapë i kemi edhe të varfrit edhe klasën e mesme që bartin përgjegjësinë kryesore të financimit të buxhetit dhe nga ajo përfitojnë vetëm super të pasurit”, thekson Ymeri.

Në anën tjetër, edhe Shefi grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka hedhur mjaft kritika në buxhetin për vitin 2017.

Ai ka theksuar se buxheti i vitit 2017 do të ketë vetëm rritje të shpenzimeve të luksit të Qeverisë së Kosovës dhe jo për mirëqenien e qytetarëve të vendit.

“Qytetarë të Kosovës; e gjithë qeveria nuk flasin për fondin prej 1.5 miliardë eurosh, që PDK dhe LDK premtuan hapjen e 320 mijë vendeve të punës. Pse sot ata nuk e përmendin atë fond dhe punësimet që i kanë premtuar”, ka theksuar Lekaj.

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm, mbi 2 miliardë euro, është buxheti më i lartë që nga paslufta në Kosovë.

Prej 2 miliardë eurosh, rreth 730 milionë euro janë planifikuara do të shkojnë në investime kapitale. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG