Ndërlidhjet

Turqi: Shteti Islamik akuzohet për vrasjen e 30 civilëve në Siri


Pamje nga evakuimi i civilëve nga ndërtesat e dëmtuara nga lufta në al-Bab në Siri

Ushtria e Turqisë e ka akuzuar grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), për vrasjen e së paku 30 civilëve, që synonin të largoheshin nga qyteti al-Bab në Siri, të cilin Ankaraja dhe aleatët e saj kryengritës po përpiqen ta marrin për javë të tëra.

Civilët ishin vrarë me mina dhe bomba të prodhimit shtëpiak, derisa përpiqeshin të largoheshin nga qyteti, që është afër kufirit turk, ka raportuar mbrëmë agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, Anadolu.

Kryengritësit sirianë, të mbështetur nga ushtria e Turqisë, po përpiqen ta marrin kontrollin në al-Bab, të cilin aktualisht e kanë militantët e Shtetit Islamik.

Më 24 gusht të këtij viti, Turqia i ka dërguar trupat e kmbësorisë për t’i mbështetur forcat opozitare siriane, për pastrimin e rajonit kufitar nga militantët e Shtetit Islamik dhe për ta ndalur zgjerimin territorial të kurdëve sirianë.

Deri tash, gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit”, janë vrarë 36 trupa turke, përfshirë 16 ushtarë të vrarë javën e kaluar nga militantët e Shtetit Islamik.

Më herët, Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, e ka akuzuar Turqinë për vrasjen e 88 civilëve në sulmet ajrore në al-Bab, përfshirë 21 fëmijë. Armata e Turqisë i ka përgënjeshtruar këto informacione për vrasjen e civilëve.

XS
SM
MD
LG