Ndërlidhjet

Ukrainë: Armëpushimi po respektohet, me gjithë luftimet sporadike 


Ilustrim

Dita e tretë e një armëpushimi të ri dhe pa një afat kohor në mes të Ukrainës dhe separatistëve pro rusë po respektohet në masë të madhe, ndonëse të dyja palët kanë raportuar luftime në afërsi të qytezës strategjike, Debalcevë.

Të dy palët, javën e kaluar, janë pajtuar për armëpushimin që konsiderohet si “i papërcaktuar”, i arritur me ndihmën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka thënë se marrëveshja e arritur më 21 dhjetor është shenj se shteti i tij është rrugës drejt paqes së qëndrueshme, pas dështimit të nëntë armëpushimeve të kaluara.

Granatimet dhe të shtënat artilerike kanë vazhduar, por pa viktima apo të lënduar.

“Pozicionet tona janë sulmuar 33 herë mëngjesin e së shtunës”, ka thënë përmes një komunikate ushtria e Ukrainës.

Separatistët që e kanë përkrahjen e Rusisë kanë thënë se ana e tyre e frontit është sulmuar 62 herë me granata nga pala ukrainase, gjatë ditës së kaluar.

Armëpushimi është arritur pas betejës për kontrollimin e Debalcevës, që gjendet në zonën e cila lidh rajonet e Donjeckut dhe Lluhanskut.

Palët ndërluftuese janë pajtuar për armëpushim gjatë festave të fundvitit edhe vitin e kaluar, por luftimet janë vazhduar disa javë pas festave.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të publikuara më 1 dhjetor, konflikti i armatosur në Ukrainë i nisur në prill të vitit 2014, deri më tash ka marrë jetën e 9758 njerëzve, ndërsa 22 779 të tjerë janë lënduar.

XS
SM
MD
LG