Ndërlidhjet

SHBA: Besimi i konsumatorëve më i larti në 15 vitet e fundit


Ilustrim
Ilustrim

Konsumatorët amerikanë janë më optimistë se sa ishin gjatë më tepër se 15 viteve të fundit.

Organizata Conference Board ka njoftuar sot se indeksi i besimit të konsumatorëve është rritur në 113.7 në muajin dhjetor, ndërsa në nëntor ishte 109.4.

Indeksi 113.7 është më i larti prej gushtit të vitit 2001, kur ky koeficient ishte 114.

Vlerësohet se kjo është një shenjë tjetër se konsumatorët kanë besim pas fushatës përçarëse zgjedhore, raporton agjencia AP nga Uashingtoni.

Lynn Franco nga Conference Board tha se “rritja paszgjedhore e optimizmit” ishte më e fuqishme në mesin e amerikanëve të moshuar.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara ka shënuar rritje prej 3.5% në ritmin vjetor prej korrikut e deri në shtator, që është shtimi më e shpejtë në dy vitet e fundit.

Papunësia është 4.6%, që është shifra më e ulët në nëntë vitet e fundit.

Punëdhënësit i kanë shtuar nga 180 mijë vende punë në muaj këtë vit, që është më pak se në vitin 2015, kur kjo e dhënë ishte 229 mijë, por megjithatë edhe të dhënat për këtë vit janë ende solide, raporton AP.

Ekonomistët e monitorojnë disponimin e konsumatorëve për së afërti, pasi shpenzimet e tyre konsiderohet se përbëjnë 70% të prodhimit ekonomik.

XS
SM
MD
LG