Ndërlidhjet

Trump Izraelit: Qëndro i fortë derisa të marr detyrën


Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Izraelit që “të qëndrojë i fortë” derisa ai të marrë detyrën, muajin e ardhshëm.

Me një postim në Twitter, Trump tha se SHBA nuk mund të lejojë që Izraeli “të trajtohet me përbuzje totale dhe mungesë respekti”.

Trump i është referuar marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe votimit, javën e kaluar, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër ndërtimit të vendbanimeve hebreje në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

SHBA nuk ka marrë parasysh thirrjet e Trumpit për t’i vënë veto rezolutës.

Trump shkroi të mërkurën në Twitter se “Izraeli e ka pasur mike të madhe SHBA-në, por jo më”.

Trump tha se marrëveshja që kufizon programin atomik të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër tij, ka qenë “fillimi i fundit”.

Komentet e Trumpit vijnë në kohën e tensioneve në rritje midis SHBA-së dhe Izraelit, pasi Uashingtoni ka abstenuar nga votimi në Këshill të Sigurimit.

Po ashtu të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përsëriti se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqen midis palestinezëve dhe izraelitëve.

XS
SM
MD
LG