Ndërlidhjet

SHBA-ja pritet të njoftojë masat kundër Moskës për ndërhyrjet në zgjedhje

  • RFE /RL

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, lideri rus, Vladimir Putin, dhe kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton

Shtetet e Bashkuara do të vendosin masa të reja kundër Rusisë pasi kjo e fundit akuzohet për sulme kibernetike ndaj postës elektronike të Partisë Demokratike Amerikane gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, zbulimi i të cilave sipas CIA-s dhe të tjerëve u bë në përpjekje për t’i ndihmuar presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Masat mund të përfshijnë sanksione të reja ekonomike, aktakuza ndaj hakerëve, restriksione ndaj diplomatëve si dhe zbulimin e informacioneve turpëruese për zyrtarët rusë, raporton Reuters, The Washington Post dhe media të tjera amerikane.

Disa media raportojnë se masat mund të bëhen të ditura më 29 dhjetor.

Zyrtarët thonë se këto masa të reja nuk do të tejkalojnë përmasat e sulmeve kibernetike ruse, me qëllim që të mos eskalojë konflikti kibernetik.

FBI, CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, pajtohen se Rusia qëndron prapa sulmeve kibernetike në organizatat e Partisë Demokratike Amerikane pak para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit.

CIA ka ardhur në përfundim se sulmet dhe rrjedhjet në media kanë pasur qëllim të ndihmohet Donald Trump, kandidati republikan, që ta mund rivalen demokrate, Hillary Clinton.

Donald Trump, ka thënë se ka dyshime në informacionin se Rusia ka ndërhyrë, megjithëse në komunitetin e inteligjencës ekziston konsensusi se Moska në fakt ka ndërhyrë.

Rusia rregullisht i ka hedhur poshtë akuzat se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Senatorët republikanë, John McCain dhe Lindsey Graham si dhe demokrati Amy Kloubchar që momentalisht janë në udhëtim zyrtar në shtetet baltike, Ukrainë, Gjeorgji dhe Mal të Zi, kanë thënë se Rusia duhet të pres përgjigje të ashpër amerikane për shkak të sulmeve kibernetike.

Graham, më 28 dhjetor ka thënë se “sanksionet bipartizane (që e kanë përkrahjen e dy partive) …do e godasin Rusinë fuqishëm, veçanërisht Putinin si individ”.

“Mund të them se 99 (nga 100 senatorë sa janë në tërësi) besojnë që rusët e kanë bërë këtë dhe ne do të bëjmë diçka rreth kësaj”, ka shtuar Graham.

Ai ka thënë se Rusia “po bënë përpjekje që të thyejë shpinën e demokracive nëpër tërë botën”.

“Është koha që Rusia ta kuptojë, më nuk ka tolerime”, iu ka thënë Graham gazetarëve.

Trump duket se sugjeron që SHBA-të nuk duhet të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë. I pyetur për qëndrimet e Grahamit, ai iu ka thënë gazetarëve: “Unë mendoj që ne duhet të vazhdojmë jetërat tona”.

Presidenti, Barack Obama i ka thënë Radios Publike Amerikane së fundi se “ne duhet dhe do të ndërmarrim masa” kundër Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Obama mund të vendos të përdorë një urdhër ekzekutiv të prillit të 2015-ës që i lejon atij të vendos sanksione si përgjigje ndaj sulmeve kibernetike të kryera nga grupe të huaja që kanë pasur cak infrastrukturën amerikane apo janë bërë për qëllime ekonomike.

Reuters e ka cituar një zyrtar anonim qeveritar amerikan duke thënë se një nga opsionet do të ishte rrjedhja në media e materialeve mbi zyrtarët rusë apo veprime të tjera që Uashingtoni tashmë i ka siguruar në mënyrë që do të ishin “paralele me atë që e kanë bërë rusët, por që do të ishte e pamundshme të verifikohet”.

Sipas Reuters, një tjetër opsion do të ishte vendosja e sanksioneve të reja më të ashpra ekonomike kundër Rusisë.

Uashingtoni tashmë ka vendosur sanksione ndaj Moskës për aneksimin ilegal të gadishullit ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe për përfshirjen e saj në luftën në mes të separatistëve pro rusë dhe forcave qeveritare ukrainase që deri më tash ka marrë jetën e 9750 njerëzve në Ukrainën lindore.

Megjithatë, sipas Peter Harrell, ish zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Uashingtoni ka pak gjasë të vendos sanksione të reja ndaj Rusisë sepse kështu rrezikon të dëmtojë ekonomitë e Evropës perëndimore.

Harrell, i cili ka punuar rreth politikave të sanksioneve, ka thënë se SHBA-të, mund të kenë cak disa zyrtarë të caktuar te inteligjencës ruse apo divizioneve ushtarake që besohet se janë përfshirë në ndërhyrjet kibernetike.

“Goditja e sektorit rus të mbrojtjes do të ishte gjë e qëlluar”, citohet Harrell nga Reuters.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, e pyetur për masat hakmarrëse amerikane ka thënë mbrëmë se Rusia do t'i përgjigjet në të njejtën mënyrë masave të Shtëpisë së Bardhë. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG