Ndërlidhjet

Prishtinë: Prokuroria ngrit padi për terrorizëm ndaj aktivistëve të VV-së


Pamje nga Kuvendi i Kosovës më 4 gusht 2016, pas sulmit me mjet shpërthyes, Prishtinë
Pamje nga Kuvendi i Kosovës më 4 gusht 2016, pas sulmit me mjet shpërthyes, Prishtinë

Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të terrorizmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur padi ndaj Atdhe Gashit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës.

Vepra penale sipas njoftimit të kësaj prokurorie në Prishtinë është e paraparë "në nenin 136 paragrafi 1, lidhur me neni 135 paragrafi 1, nën paragrafi 1.7, lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës."

Komunikata e dërguar mediave thotë se: “në aktakuzën e ngritur ndër të tjera thuhet së të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar, me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Ndërsa, për të dyshuarin Petrit Ademi, në mungesë të provave, kanë pushuar hetimet. Po ashtu, hetimet kanë pushuar edhe për tashmë të ndjerin Astrit Dehari”, thuhet gjithashtu në këtë njoftim.

Katër të akuzuarit thuhet se kanë marrë pjesë në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të këtij viti, duke shkaktuar dëme materiale.

Në fund të muajit gusht Policia e Kosovës arrestoi disa aktivistë të Vetëvendosjes, me dyshimin se kanë kryer sulmin mbi Kuvendin .

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili vdiq në rrethana të paqarta në burgun e Prizrenit, por që në autopsinë e bërë thuhet se ka vdekur nga asfiksia.

Ndërkohë, pak kohë më parë, Kuvendi i Kosovës, pas hapjes së një debati për rastin Dehari miratoi rekomandimet e partive në koalicion, PDK dhe LDK, në të cilat thuhet se “rasti i vdekjes së Astrit Deharit duhet të zbardhet në mënyrë të drejtë dhe transparente”, që ky rast “të mos lejohet të politizohet” dhe “nëse familja kërkon hetim të vdekjes së Astrit Deharit jashtë vendit, atëherë Qeveria e Kosovës duhet t’ia mundësojë këtë duke hequr edhe shpenzimet”.

XS
SM
MD
LG