Ndërlidhjet

Sarajevë: Një ish-oficer policor akuzohet për krime lufte kundër serbëve


Pamje e një pjese të Sarajevës

Një oficer që i kishte komanduar njësitet speciale të policisë në Sarajevë, gjatë rrethimit të qytetit nga forcat serbe të Bosnjës, në periudhën 1992-95, është akuzuar për krime të luftës.

Prokurorët në Bosnje Hercegovinë e kanë paditur ish-komandantin, Dragan Vikiq, lidhur me ekzekutimin e tetë luftëtarëve armiqësorë të zënë në vitin 1992.

Zyra e prokurorit në Sarajevë përmes një komunikate të publikuar sot, thotë se Vikiq dhe tre ish-oficerë të policisë akuzohen për rolin që e kanë pasur në vrasjen e ushtarëve serbë, që janë zënë pasi ishte dëmtuar automjeti i tyre i blinduar, në periferi të qytetit.

Vikiq dhe një nga oficerët akuzohen se “kanë dështuar të arrestojnë, procesojnë dhe sanksionojnë” personat përgjegjës për krime dhe “dështim për largimin e dëshmive dhe për fshehjen e trupave”. Dy oficerë të tjerë janë akuzuar për pjesëmarrje në krim.

Vikiq, njësitet e të cilit kanë luftuar për ta mbrojtur Sarajevën nga sulmet e serbëve të Bosnjës, gjatë rrethimit, e ka hedhur poshtë çfarëdo lidhjeje me incidentin.

“Duart e mia dhe duart e njerëzve që kanë qenë nën komandën time, janë të pastra”, i ka thënë ai faqes së internetit të Sarajevës, Klix.

Forcat serbe të Bosnjës të mbështetura nga Ushtria Popullore Jugosllave, e dominuar nga serbët, e kanë mbajtur Sarajevën të rrethuar nga prilli i vitit 1992 e deri në dhjetor 1995.

Gjatë rrethimit janë vrarë afro 11 mijë njerëz.

XS
SM
MD
LG