Ndërlidhjet

Lista Serbe ‘dorëheqë’ ministren Jevtiq

  • RFE /RL

Mirjana Jevtiq, ministre në dorëheqje e qeverisë së Kosovës

Ministrja e pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Mirjana Jevtiq, ka dhënë dorëheqje të enjten dhe për vendimin e saj ka njoftuar Listën Serbe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë kryetari i Listës, Sllavko Simiq.

Ai tha se me vendimin e dorëheqjes se ministres Jevtiq e ka njoftuar kryeministrin Mustafa, një gjë të cilën sipas tij e ka bërë edhe vet ministrja Jevtiq.

Kabineti i kryeminstrit ende nuk ka dhënë një sqarim për cështjen e dorëheqjes.

Dorëheqja e ministres Jevtiq, pasoi vendimin e Listes Serbe që sërish ta ngrijë pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës dhe pas një takimi në Beograd të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kur u ritheksua, siç u tha, “lidhja e ngushtë e me kryeminstrin serb”.

Mirjana Jevtiq, që ka kryer detyrën e zëvendës ministres së punës dhe mirëqenies sociale, u emërua nga kryeministri Mustafa në detyrën e ministres së pushtetit lokal, afro dy javë më parë, pas shkarkimit të ministrit, atëbotë, Lubomir Mariq me arsyetimin e “sjelljes në kundërshtim me funksionin në qeverinë e Kosovës”.

Vendimi i kryeministrit Mustafa për shkarkimin e Mariqit dhe emërimin e Jevtiqit, u tha se u krye në pajtueshmëri me udhëheqësit e Listës Serbe, të cilët edhe e kanë mbështetur një veprim të tillë.

Gjashtë deputetë të Listës Serbe, me në krye shefin e grupit parlamentar u rikthyen ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, pas bojkotit prej dy muajsh për shkak të pakënaqësisë me miratimin e ligjit për Trepcën dhe Ligjit për investime strategjike, duke theksuar se “me këtë hap duan të mbrojnë interesat e popullit serb në Kosovë”.

Rikthimi i tyre shkaktoi përçarje brenda vetë spektrit politik serb dhe ngriti akuzat, për sic u tha, “patriot dhe tradhetarë” ndërmjet partive në koalicion në Serbi. Ishte kryeministri serb Vuçiq që zhvilloi takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për t’i bindur, sic u tha, “të punojnë së bashku” duke “kërkuar largimin nga institucionet e Kosovës” dhe “krijimin e shpejt të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

XS
SM
MD
LG