Ndërlidhjet

Obama uron Vitin e Ri, premton vazhdimin e angazhimit për SHBA-në


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama

Shtëpia e Bardhë e ka publikuar sot video mesazhin javor të presidentit amerikan, Barack Obama, përmes së cilës ai ka folur për dy mandatet e tij si udhëheqës i shtetit më të fuqishëm në botë.

"Në kohën kur e përfundojmë një vit dhe shikojmë drejt të ardhmes, dua të shfrytëzojë pak kohë që t’iu falenderojë për gjithçka që keni bërë për të bërë Amerikën më të fuqishme gjatë këtyre tetë viteve të fundit. Vetëm tetë vjet më parë, kur bëhesha gati të fillojë detyrën, ekonomia jonë lëkundej. Rreth 800 mijë amerikanë e humbisnin vendin e tyre të punës çdo muaj. Në disa komunitete, pothuajse një në pesë persona nuk kishte vend pune. Rreth 180 mijë trupa po shërbenin në Irak dhe Afganistan, ndërsa Osama bin Laden ishte ende në arrati", ka thënë Obama në video mesazhin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Obama i cili mbetët lideri i botës së lirë deri më 20 janar kur këtë detyrë e merr presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka treguar për ato që janë arritur nga SHBA-të gjatë udhëheqjes së tij.

"Ne kemi kthyer 165 mijë trupa nga Iraku dhe Afganistani, ndërsa e kemi hequr qafe edhe Osama bin Ladenin. Përmes diplomacisë, ne i kemi dhënë fund programit të armëve bërthamore të Iranit, kemi hapur një kapitull të ri me popullin e Kubës, ndërsa kemi bërë bashkë rreth 200 kombe përmes një marrëveshje rreth ambientit që mund të shpëtojë planetin për fëmijët tanë”, ka thënë më tej Obama.

"Ne kemi arritur progres të jashtëzakonshëm si shtet gjatë tetë viteve të kaluara. Dhe, ja ku po e them: asnjë prej tyre nuk ishte e sigurt se do të arrihej. Kjo ishte si rezultat i vendimeve të rënda që janë marrë, dhe si rezultat i punës së fuqishme”, ka thënë Obama.

Presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se nga janari i vitit të ardhshëm, ai do i kthehet rolit gjithashtu të rëndësishëm të qytetarit amerikan, ndërsa ai do të vazhdojë angazhimin e tij që zotimi mbi të cilin është ndërtuar shteti amerikan, të ruhet.

"Ka qenë privilegj i jetës sime që të shërbej si presidenti i juaj. Dhe, derisa bëhem gati që të nis rolin po aq të rëndësishëm të qytetarit, ta dini se do të jem me ju për çdo hap për tu siguruar t’i përmbahemi zotimit mbi të cilin është krijuar vendi – që të gjithë jemi të barabartë, dhe të gjithë e meritojmë çdo mundësi për të jetësuar ëndërrat tona. Nga familja Obama tek familjet tuaja, viti 2017 uroj të jetë vit i lumtur dhe i bekuar”, ka uruar presidenti Obama.

XS
SM
MD
LG