Ndërlidhjet

Turqia e identifikoi sulmuesin; Erdogan shprehet i përkushtuar kundër terrorit


Policia turke duke bërë kontroll në afërsi të klubit të natës Reina në Stamboll, pas sulmit nga i cili u vranë 39 vetë

Autoritetet e Turqisë e kanë identifikuar kryerësin e masakrës së Vitit të Ri në një klub nate në Stamboll, derisa presidenti, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur përkushtim për të mos u dorëzuar para “terroristëve”.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se autoritetet e kanë identifikuar sulmuesin në një klub të natës në Stamboll.

Por, zoti Cavusoglu nuk ka dhënë më tepër detaje, raporton sot agjencia e lajmeve, Anadolu.

Pak kohë pas ardhjes së Vitit të Ri 2017, një person i armatosur ka depërtuar në klubin e natës Reina dhe ka haur zjarr kundër njerëzve që festonin.

Në këtë masakër të 1 janarit janë vrarë 39 vetë, përfshirë 27 shtetas të jashtëm, dhe plagosur 69 të tjerë.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se një “ushtar i kalifatit” e ka kryer masakrën dhe ka vlerësuar se ky ishte sulm kundër “festës së të pafeve” dhe hakmarrje për përfshirjen ushtarake të Turqisë në Siri.

Pas vrasjeve, sulmuesi ka arritur të largohet nga vendi i krimit dhe ende nuk është zënë.

Ministri Cavusoglu tha se “përpjekjet për zënien e tij po vazhdojnë” dhe ka shtuar se shtëpia ku kishte jetuar i dyshuari “ishte bastisur” dhe se sulmi ishte planifikuar në mënyrë “profesionale”.

Mediat turke kanë raportuar se sulmuesi e kishte marrë një banesë me qira në pjesën qendrore të qytetit Konja, para se të arrinte në Stamboll për ta kryer sulmin.

Megjithqë nuk është publikuar emri i të dyshuarit, policia ka paraqitur pamje të sulmuesit, më herët këtë javë, përfshirë edhe një të bërë nga kamerat e sigurisë në natën e sulmit.

Një person 28 vjeçar i Kirgizisë, i cili ishte larguar nga Stambolli më 3 janar dhe konsiderohej i dyshuar se ishte personi i armatosur, ishte marrë në pyetje në Bishkek të Kirgizisë, por më vonë është liruar.

Deklarata e ministrit Cavusoglu u bë pas agjencia Anadolu pat raportuar se pesë persona të dyshuar, të ndërlidhur me gupin ekstremist, Shteti Islamik, i cili e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, janë arrestuar sot në qytetin port Izmir, në kuadër të hetimeve që po vazhdojnë.

Sipas kësaj agjencie, lidhur me këtë masakër, më parë ishin arrestuar 14 vetë, përfshirë dy persona të jashtëm.

Në paraqitjen e tij të parë publike para kombit prej sulmit në Stamboll, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pretenduar se sulmi kishte për qëllim ndarjen e Turqisë, por tha se vendi nuk do tu nënshtrohej synimeve të këtilla.

“Qëllimi ishte i qartë: të krijohej përçarje dhe të polarizohej shoqëria”, tha Erdogan gjatë fjalimit të tij të mbajtur sot në Ankara.

“Stili i jetës i askujt nuk është nën rrezik sistematik në Turqi”, tha Erdogan dhe ka shtuar se “ne kurrë nuk do ta lejojmë këtë”.

Zoti Erdogan theksoi se “të thuhet se Turqia i është dorëzuar terrorizmit, do të thotë se është marrë ana e terroristëve dhe organizatave terroriste”.

Gjatë 12 muajve të fundit në Turqi kanë ndodhur dhjetëra sulme vdekjeprurëse terroriste, përfshirë edhe sulmin kundër aeroportit ndërkombëtar në Stamboll, për të cilin disa e kanë fajësuar Shtetin Islamik, ndërsa të tjerët kanë thënë se ishte kryer nga militantët kurdë.

Mbrëmë vonë, ligjvënësit e Turqisë kanë votuar për zgjatjen edhe për tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ishte shpallur pas përpjekjes për puç ushtarak më 15 korrik të vitit të kaluar.

Gjendja e jashtëzakonshme ishte shpallur për ta goditur rrjetin e ndërlidhur me kleriun mysliman me seli në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, i cili nga Turqia akuzohet për grushtshtetin e dështuar.

Zoti Gulen i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG