Ndërlidhjet

Gjermani: Arrestohet një tunizian në lidhje me sulmin në Berlin 


Kamioni me të cilin u krye sulmi në Berlin,

Autoritetet gjermane thonë se e kanë arrestuar një të njohur të dyshuarit si autor i sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, Anis Amri.

Zëdhënësja e prokurorisë federale, Frauke Koehler ka thënë sot se autoritetet po hetojnë nëse ai ka luajtur rol në sulmin me kamion me epilog 12 viktima dhe dhjetëra të lënduar.

Zëdhënësja ka thënë se 26 vjeçari tunizian, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, e ka njohur Amrin prej vitit 2015, ndërsa të dy kanë ngrënë së bashku një natë para sulmit të 19 dhjetorit.

Koehler ka thënë se vendi ku jeton ky person është bastisur nga policia më 3 janar.

“Ne po e hetojmë atë për lidhje të mundshme me sulmin” iu ka thënë gazetarëve zëdhënësja e prokurorisë federale, duke shtuar se momentalisht nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë ndaj tij në lidhje me sulmin.

Megjithatë, prokurorët e Berlinit, në një komunikatë tjetër thonë se ata e kanë arrestuar të njëjtin person më 3 dhjetor, për mashtrim të përfitimeve sociale.

Anis Amri, 24 vjeçar është vrarë gjatë përleshjes me armë me policinë italiane, në periferi të Milanos, pasi ata e kanë ndaluar gjatë një kontrolli rutinor më 23 dhjetor.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Berlin.

XS
SM
MD
LG