Ndërlidhjet

Mustafa: Ndalimi i Haradinajt i motivuar armiqësisht nga Beogradi


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Basel, dhe procedurave që po zhvillohen sipas fletë-arrestit dhe kërkesave shtesë të Serbisë.

Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, Mustafa ka deklaruar se Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.

Ai ka shprehur kundërshtimin e tij dhe Qeverisë së Kosovës ndaj këtyre fletë-arresteve, të cilat i ka cilësuar krejtësisht të paligjshme dhe të padrejta. Sipas tij, këto veprime të Serbisë bëhen me tendenca të qarta për të provokuar tensione konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe me gjerë.

“Që nga momenti i ndalimit të Haradinaj të gjitha dikasteret kompetente të qeverisë janë duke u angazhuar me kapacitet të plotë dhe vazhdojnë të punojnë për të kontribuar në çdo formë për lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt”, ka thënë Mustafa.

“Aktet e tilla janë të papranueshme”, ka thënë Mustafa, duke rikujtuar seHaradinaj ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë në proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës.

Ramush Haradinaj është ndaluar nga policia franceze në Basel, të mërkurën, mbi bazën e një fletë-arresti të Serbisë, ku pretendohen dyshimet për krime lufte në Kosovë. Haradinaj është paraqitur para gjykatës, por deri në vendimin tjetër, gjykata është shtrënguar të pres kërkesat shtesë që i ka paralajmëruar se do t’i deponoj Prokuroria e Serbisë për krime lufte.

XS
SM
MD
LG