Ndërlidhjet

Aktakuzë për krime lufte në Kosovë ndaj të ekstraduarit nga Bosnja


Pallati i Drejtësisë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër një personi të ekstraduar nga Bosnja dhe Hercegovina, me inicialet B.S., për veprime të cilat pretendohet se janë kryer në Fushë Kosovë në periudhën kohore që ndërlidhet me datën, 26 mars 1999.

“I pandehuri akuzohet për krime të luftës kundër popullatës civile, siç parashihet dhe dënohet në bazë të neneve 22 dhe 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), aktualisht të ndëshkueshme në bazë të neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Speciale.

Me veprimet e tij, ky i akuzuar dyshohet se ka bërë shkelje edhe të neneve të Konventave të Gjenevës që përcaktohen nga e Drejta Ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë dhe gjatë gjithë kohës përkatëse.

Kjo aktakuzë është ngritur nga prokurori pas ekstradimit të pandehurit nga Bosnja. Ai ishte arrestuar në korrik të vitit 2013.

Në vendimin për paraburgimin e tij pas dorëzimit tek autoritetet e Kosovës, thuhej se "i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviç, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën e lartpërmendur te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat".

Po ashtu, sipas prokurorisë, thuhet se disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur. Njëri prej tyre ishte Haki Bajrami, trupi i të cilit ishte gjetur në një varrezë në periferi të Prishtinës dhe ishte identifikuar më 17 gusht të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG