Ndërlidhjet

Beteja kundër IS-it në Mosul shënon disa suksese


Ilustrim

Forcat speciale irakiane që po luftojnë kundër grupit militant, Shteti Islamik, në qytetin e Mosulit, thonë se kanë avansuar kundër IS-it më 9 janar, duke detyruar militantët që të largohen nga qarku lindor.

Shërbimi Kundër Terrorizmit (CTS) njofton se ka rimarrë nën kontroll lagjen Baladiyat ndërsa tani po lufton për rimarrjen e rajonit Sukkar, afër të cilit gjendet edhe universiteti i Mosulit.

Sami Al-Askari, një nga oficerët e CTS-së në Mosul i ka thënë Reutersit se “rajoni është tejët i rëndësishëm”.

“Është një qark qëndror… Nëse e marrim nën kontroll, me atë e kontrollojmë edhe pyllin, pallatet presidenciale dhe bregun lindor të lumit Tigris”, ka thënë ai.

Më 8 janar, CTS ka thënë se e ka arritur lumin Tigris që kalon përmes qendrës së Mosulit, duke arritur kështu sukses të madh në ofensivën që e ka përkrahjen edhe të SHBA-së në betejën për Mosulin.

CTS është pjesë e një force prej 100 mijë pjesëtarëve që përkrahet me sulme ajrore amerikane.

Ofensiva për rimarrjen e Mosulit, qytetit të dytë më të madh irakian është nisur më 17 tetor.

Mosuli është qendra më e madhe urbane që vazhdon të kontrollohet nga Shteti Islamik, i cili okupoi një të tretën e këtij vendi më 2014.

XS
SM
MD
LG