Ndërlidhjet

Fuqitë globale e kanë miratuar dërgesën me uranium në Iran


ilustrim

Mediat e SHBA-së raportojnë se administrata e presidentit Barack Obama dhe shtete të tjera e kanë miratuar dërgimin e uraniumit natyral nga Rusia për në Iran, një këmbim ky i autorizuar nga marrëveshja bërthamore e Iranit.

Diplomatët i kanë thënë Associated Press dhe Fox News se transferi i kryer me pajtim nga SHBA-ja dhe pesë fuqi të tjera botërore nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të Iranit parashihte dërgimin e 116 tonëve të uraniumit natyral.

Teherani e ka pranuar një sasi të njëjtë të uraniumit natyral në vitin 2015, pak para arritjes së marrëveshjes bërthamore, duke pranuar uranium natyral në këmbim të uraniumit të pasuruar që ia ka dërguar Rusisë.

Dërgesa është kryer në një kohë të ndjeshme derisa pritet që të nis detyrën administrata e presidentit të zgjedhur, Donald Trump e cila krahas shumicës së ligjvënësve republikanë e kundërshton marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Përdorimi i uraniumit nga Irani do të monitorohet për së afërmi nga vëzhguesit e OKB-së.

Uraniumi mund të pasurohet deri në nivele që arrijnë bërthamën e armës bërthamore. Irani megjithatë ka thënë se nuk ka interes në armatim të tillë.

XS
SM
MD
LG