Ndërlidhjet

Nikoliq kërkon mbrojtjen e të "drejtave serbe" në Ballkan


Presidenti serb, Tomislav Nikoliq në takim me të dënuarin për krime lufte në Bosnje, Momqilo Krajishnik

Presidenti serb ka kërkuar mbrojtje më të madhe për të drejtat e serbëve në rajonin e Ballkanit pas takimit me një ish lider serb të Bosnjës i cili është i dënuar për krime lufte.

Takimi në mes të presidentit serb, Tomislav Nikoliq dhe liderit serb të Bosnjës, Momqilo Krajshnik më 11 janar ka reflektuar ngritjen e nacionalizmit serb në rajon derisa takimi është dënuar nga grupet për të drejtat e njeriut.

Krajshnik ka bërë 13 vjet e gjysmë burg pasi është dënuar nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi për persekutimin dhe zhvendosjen me dhunë të jo serbëve gjatë luftës së Bosnjës. Ai është liruar në vitin 2013.

Më 1995, marrëveshja e paqes e arritur me ndihmën amerikane e ka kthyer Bosnjën në një union të dy rajoneve, njërit serb dhe tjetrit myslimano-kroat.

Por, marrëveshja ka filluar të dëmtohet pasi liderët serbë të Bosnjës kanë filluar thirrjet për ndarje të Republikës Serbe të Bosnjës dhe bashkimit të saj me Serbinë.

Krajshnik, që tani e udhëheqë një organizatë jo qeveritare të quajtur Asociacioni i Krijuesve të Republikës Serbe, pas takimit me Nikoliqin ka thënë se Bosnja është “bërë një shtet i pamundur”.

“Populli serb nuk ndjehet rehat”, ka thënë ai dhe ka shtuar “e as kroatët nuk ndjehen mirë…Situata në Bosnje është alarmuese”.

Nikoliq, i cili konsiderohet fuqishëm pro rus, ka thënë se serbët jo vetëm që duan mbrojtjen e “statusit” të tyre, por po bëjnë thirrje për mbrojtjen e shkronjave të sllavishtes së vjetër dhe gjuhën serbe në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG