Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës: Lirimi me kusht hapi i parë, Haradinaj do të kthehet së shpejti


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka pritur që drejtësia franceze të marr vendim për lirimin e plotë të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, "duke pas parasysh fletë-arrestin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia".

Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e Kosovës e cilëson “vendimin e organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të Haradinajt vetëm si një hap, dhe pret që Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe të kthehet në Kosovë”.

“Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletë- arrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i Haradinajt, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të Haradinajt në Kosovë si dhe “për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletë-arresteve të paligjshme serbe”.

XS
SM
MD
LG