Ndërlidhjet

Trump premton raport për sulmet kibernetike në zgjedhje


Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka premtuar se do të lëshojë një raport, brenda 90 ditësh, mbi akuzat për sulmet kibernetike të Rusisë në fushatën zgjedhore në SHBA.

Me disa postime në Twitter, Trump i ka cilësuar pretendimet si “fakte të montuara nga operativë të korruptuar të politikës”.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje, me qëllim dëmtimin e rivales demokrate të Trumpit, Hillary Clinton.

Ato po ashtu po shqyrtojnë disa raporte se Moska ka informacione komprometuese për Trumpin.

Të martën, ueb-faqja Buzzfeed ka publikuar një dokument 35-faqesh, që ka qarkulluar në qarqe politike dhe mediatike para zgjedhjeve dhe që thotë se Rusia ka informacione të dëmshme në lidhje me interesat biznesorë të Trumpit dhe pamje që tregojnë Trumpin duke shfrytëzuar prostituta gjatë një vizite në Moskë.

Trump ka thënë se Rusia mund të qëndrojë prapa sulmeve kibernetike në procesin zgjedhor, porse sulmet e tilla nuk e kanë ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG