Ndërlidhjet

Mustafa: Provokimet që po i bën shteti serb në Kosovë, janë veprime të papranueshme


Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet profilit të tij në facebook ka deklaruar se “Kosova është e orientuar fuqishëm për paqe dhe siguri në rajon dhe se të gjitha çështjet me fqinjët, jemi të interesuar t’i zgjidhim përmes dialogut”.

Mustafa ka shkruar se koha e provokimeve, konflikteve dhe luftërave, duhet të ketë shkuar.

Ai ka theksuar se provokimet, të cilat kohëve të fundit në mënyrë sistematike po i bën shteti serb në Kosovë, janë veprime të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Kosova është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, t’i integrojë qytetarët serbë në institucionet dhe në jetën demokratike të vendit, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Por, kjo gatishmëri duhet të përcillet me qëndrime konstruktive të Serbisë ndaj këtij procesi, si dy vende që aspirojmë të bëhemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”.

Ai ka thënë se muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, jo vetëm pa leje, por edhe në kundërshtim me rregullat urbane dhe ligjore, do të rrënohet.

“Institucionet e Kosovës e kanë bërë të qartë se nuk do të dialogojnë për këtë mur në Bruksel, pasi ai as që ka qenë kurrë pjesë e marrëveshjeve apo dialogut. Por, po ashtu, vlerësoj se institucionet e BE-së duhet të ushtrojnë ndikim që këtë mur ta heqin ata që e ndërtuan, sepse ata që ndërtojnë mure në Ballkan, nuk mund të jenë të dinjitetshëm për t’u bërë pjesë e Evropës pa mure (pa kufij)”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

XS
SM
MD
LG