Ndërlidhjet

Rebelët sirianë vendosin të marrin pjesë në bisedimet për paqe


Foto arkivi nga Siria.

Rebelët sirianë kanë vendosur të marrin pjesë në bisedimet për paqe, të mbështetura nga Rusia dhe Turqia, në Kazakistan.

Zyrtarë të rebelëve thanë se vendimi për të ndjekur bisedimet - të parapara për 23 janar në Astana - është marrë gjatë takimeve të vazhdueshme në Ankara.

"Shumica e grupeve ka vendosur të marrë pjesë", tha Zakaria Malahifji nga grupi rebel Fastaqim.

"Do të diskutohet për armëpushimin, për çështje humanitare, dërgim të ndihmave, lirim të të burgosurve", shtoi ai.

Një zyrtar nga grupi rebel Ushtria e Lirë Siriane tha se përfaqësuesit rebelë duan të shtyjnë përpara zbatimin e një armëpushimi më të gjerë.

Më 29 dhjetor, Moska ka njoftuar se Rusia dhe Turqia kanë ndërmjetësuar një armëpushim kombëtar midis Qeverisë siriane dhe kundërshtarëve të saj.

Moska ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri për nisjen e bisedimeve për paqe.

Derisa Shtetet e Bashkuara janë përjashtuar nga procesi, autoritetet ruse kanë thënë se Rusia, Turqia dhe Irani do t'i ndjekin bisedimet në Astana, duke shtuar se edhe Egjipti, Arabia Saudite, Katari dhe Jordania mund t'i bashkohen procesit.

XS
SM
MD
LG