Ndërlidhjet

Mustafa i thotë Baroneshës Ashton se Kosova mbetet model i paqes dhe dialogut


Isa Mustafa dhe Baronesha Catherine Ashton
Isa Mustafa dhe Baronesha Catherine Ashton

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur në një takim ish- përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton.

Duke vlerësuar përkushtimin e Baroneshës Ashton gjatë procesit evropian të dialogut të zhvilluar në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Mustafa, sipas një komunikate për media, e njoftoi atë edhe për zhvillimet e fundit në këtë proces.

“Republika e Kosovës është e vendosur për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon. Përkundër zvarritjeve dhe provokimeve të shkaktuara nga pala serbe, Kosova edhe gjatë procesit të dialogut në Bruksel, po dëshmon se është model rajonal dhe më gjerë i përkushtimit për dialog, për paqe dhe stabilitet”, ka thënë Mustafa.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje edhe për përkrahjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar besimin e plotë se Londra do të vazhdojë mbështetjen për shtetin e Kosovës, e cila tashmë është konfirmuar edhe nga Sekretari, Boris Johnson.

Kurse ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Catherine Ashton, vlerësoi të arriturat në Kosovë gjatë kësaj periudhe.

Ajo, sipas të njëjtës komunikatë, ka çmuar lartë përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, por edhe ka ritheksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë.

Gjatë kësaj vizite, Baronesha Ashton pritet të dekorohet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale të Meritave.

XS
SM
MD
LG