Ndërlidhjet

Biden: Rusia – kërcënimi më i madh për rendin liberal botëror


Joe Biden gjatë fjalimit të sotëm në Davos të Zvicrës

Në fjalimin e tij madhor në fund të mandatit, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, tha se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për “rendin liberal ndërkombëtar” dhe ka tërhequr vërejtjen se mund të priten përpjekje të mëtejshme ruse për ndërhyrje në zgjedhjet perëndimore.

“Derisa shumë vende në Evropë planifikojnë mbajtje të zgjedhjeve këtë vit, ne duhet të presim përpjekje të mëtejshme nga Rusia për ndërhyrje në procesin demokratik”, tha Biden dhe ka shtuar se “ju premtoj se kjo do të ndodhë përsëri dhe qëllimi është i qartë: për ta shkatërruar rendin liberal ndërkombëtar”.

Mëtutje, gjatë fjalimit të tij të sotëm në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, zyrtari i lartë amerikan u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që “ta udhëheqin luftën” për mbrojtje të vlerave liberale dhe ka këmbëngulur që NATO-ja duhet të mbetet elementi kryesor i marrëdhënieve transatlantike.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet pasnesër, ka vlerësuar se NATO-ja është e “vjetëruar”, duke e akuzuar se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit. Megjithatë Trump ka pranuar se aleanca është ende “shumë e rëndësishme” për të.

XS
SM
MD
LG