Ndërlidhjet

Treni i ndaluar në Kosovë vihet në qarkullim në brendi të Serbisë


Treni me ngjyrat e flamurit të Serbisë, që u ndalua të hyjë në Kosovë
Treni me ngjyrat e flamurit të Serbisë, që u ndalua të hyjë në Kosovë

Ministrja e ndërtimtarisë, komunikacionit dhe infrastrukturës në qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviq, tha të mërkurën se treni i “dekoruar me fotografitë e freskave nga manastiret serbe” nuk do të qarkullojë më në relacionin e Mitrovicës.

Ajo tha se ky tren do të bartë udhëtarë në relacionin hekurudhor Kralevë-Pozhegë.

Mihajloviq tha se vendimin që treni të vihet në funksion sërish, por në binarë tjerë, e ka marrë për shkak të arsyeve ekonomike.

Ministrja tha se i ka sugjeruar udhëheqjes së hekurudhave në Serbi që treni, pikërisht për gjithë atë që ndodhi në fundjavën e kaluar, të udhëtojë në sa më shumë qytete të Serbisë.

Një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, në mbi 20 gjuhë të ndryshme, u nis të shtunën nga stacioni hekurudhor në Beograd drejt Mitrovicës së veriut.

Treni u kthye, pas një qëndrimi disa orësh në një qytet serb në kufi me Kosovën, pas përshkallëzimit të tensioneve.

Autoritetet në Beograd fajësuan “Prishtinën zyrtare për nxitje të konfliktit” ndërkohë që kjo e fundit tha se “ia ndaloi hyrjen në Kosovë trenit që e cilësoi provokues dhe përpjekje për të shkelur sovranitetin e vendit”.

Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të bisedimeve për normalizim, të lehtësuara nga BE-ja, e cila ka ripërsëritur qëndrimin e saj se të dyja palët duhet t’i rikthehen dialogut. (REL)

XS
SM
MD
LG