Ndërlidhjet

Trump: Nga afaristi deri te presidenti i ri i SHBA-së


Biznesmeni miliarder nga Nju Jorku dhe ish-yll i programeve reale televizive, Donald Trump, ishte fitues befasues i zgjedhjeve partiake republikane për tu bërë i nominuar i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.

Ky pasanik me flokë karakteristike, i befasoi ekspertët dhe zyrtarët partiakë duke i mundur të 16 rivalët e tjerë madhorë në Partinë Republikane dhe e pranoi nominimin në Konventën Kombëtare Republikane, të mbajtur në Klivlend, në muajin korrik të vitit të kaluar.

I karakterizuar si një fillestar politik, zoti Trump ka garuar si kandidat anti-establishment, duke i kritikuar ashpër dhe duke i ofenduar rivalët e tjerë me më tepër përvojë politike në rrjetin Twitter dhe gjatë debateve.

Trump i eliminoi edhe dy kundërshtarët e tij finalë, senatorin nga Teksasi, Ted Cruz dhe guvernatorin e Ohajos, John Kasich, për ta fituar të drejtën që të garoj me të nominuarën demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar.

Duke premtuar për ta “bërë Amerikën përsëri të madhe”, me krijimin e më tepër vendeve të punës dhe me uljen e taksave, zoti Trump nuk i zbulonte shumë detaje të çështjeve që i trajtonte dhe shpeshherë i ka ndryshuar qëndrimet e tij.

Ai pat thënë se do ta përmirësojë “ligjin dhe rendin” dhe ka shprehur përkushtim për ndërtim të murit përgjatë kufirit Shtetet e Bashkuara - Meksika, për të mos lejuar hyrjen e migrantëve ilegalë, dhe ka insistuar që Meksika do të paguaj për këtë mur.

Donald Trump, po ashtu, ka thënë se do të ndërmerrte “kontrollim ekstrem” për imigrantët myslimanë për të përcaktuar nëse në mesin e tyre ka terroristë, por aktualisht është tërhequr nga premtimi për ndaljen e hyrjes së të gjithë myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Trump, 70 vjeçar, ashpër e ka kritikuar presidentin, Barack Obama, si lider i butë dhe e ka fajësuar për atë që ai e cilësoi si politikë e dështuar në Siri dhe në pikat e tjera të krizave në gjithë botën.

Ai ishte veçanërisht kritik ndaj marrëveshjes bërthamore të fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, me Iranin, të arritur në vitin 2015.

Duke u shprehur për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, Trump ka vlerësuar se ajo ishte “sekretarja e shtetit më e keqe” në historinë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa fuqishëm e ka lavdëruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, si “lider të madh”.

Gjatë kohës së fushatës partiake dhe asaj presidenciale, Donald Trump ka treguar mungesë të dijes për çështjet e jashtme politike dhe duket se gjatë një interviste muajin e kaluar, nuk kishte njohuri se Rusia me forcë e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës.

Me prejardhje gjermane dhe skoceze, Donald Trump, është lindur në Qytetin e Nju Jorkut, ndërsa babai i tij, Freed Trump, ishte biznesmen i pasur, që merrej me patundshmëri.

Donatld Trump diplomoi në Akademinë ushtarake private në Nju Jork, e pastaj ka kaluar në Universitetin Fordham në Bronks. Dy vitet e fundit të studimeve i kaloi në Universitetin e Pensilvanisë, ku diplomoi në ekonomi në vitin 1968.

Trump kurrë nuk ka shërbyer në ushtri, pasi ka përdorë arsyetim studentor ose mjekësor për shtyrje të shërbimit ushtarak gjatë periudhës së luftës në Vietnam.

Derisa studionte, Donald Trump filloi të punonte në kompaninë për patundshmëri të babait të tij, ndërsa pas vdekjes së babait në vitin 1999, e mori përsipër gjithë kompaninë.

Organizata Trump i ka ndërtuar disa rrokaqiej dhe kazino në gjithë botën, por shumicën prej tyre në territorin e Nju Jorkut.

Gjatë viteve aktuale, kompania e zotit Trump, po ashtu, ishte e involvuar në zhvillimin e kurseve të golfit dhe i ka udhëhequr dissa gara për zgjedhje të bukuroshes në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.

Disa herë, Organizata Trump ka shpallur falimentim, ndërsa Doland Trump ka dështuar në përpjekjet për të themeluar universitet.

Pasuria e tij vlerësohet se është ndërmjet 3 e deri në 3.7 miliardë dollarë. Ai ishte bërë personalitet i njohur televiziv në programin The Apprentice, duke debutuar në vitin 2004.

Ky program është i njohur se Trump i përdorte fjalët “je i shkarkuar” derisa në fund të shout të tij i eliminonte garuesit.

Por, kontrata e zotit Trump raportohet se është anuluar nga rrjeti NBC në vitin 2016, për shkak të asaj që i ka quajtur “deklarata poshtëruese” për migrantët.

Trump i ka pesë fëmijë nga tri martesa dhe tetë nipër e mbesa.

Vajza e tij, Ivanka, dhe djemtë Donald Junior dhe Eric, kanë luajtur role të rëndësishme në fushatën e tij zgjedhore.

Për nga religjioni, Donald Trump është i krishter protestant.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG