Ndërlidhjet

Duke zvogëluar prodhimin, OPEC dhe Rusia kanë arritur rezultate para kohe për ngritjen e çmimeve të naftës


Ministrat e organizatës së shteteve që prodhojnë naftë (OPEC) dhe ministri rus i energjisë, kanë thënë se përpjekjet e tyre po sjellin rezultate më të mira dhe më të shpejta se sa që është pritur në rritjen e çmimeve të naftës duke zvogëluar prodhimin e arit të zi.

Ministrat e kanë mbajtur një takim jo formal në Vjenë më 21 janar, disa orë para një takimi zyrtar të planifikuar në zyret qëndrore të OPEC-së.

“Ne kemi ecur para kohe dhe do të vazhdojmë më tutje”, televizioni Bloomberg e citon të ketë thënë ministri rus i energjisë, Alexander Novak.

“Ne po bëjmë përpjekjet më të mira për të rritur pjesëmarrjen tonë në përmbushjen e marrëveshjes (së nënshkruar në dhjetor)”, ka thënë më tej ai.

Ministrat kanë thënë se Rusia ka qenë në gjendje të reduktojë furnizmin me naftë më shpejtë se sa që është pritur, derisa Arabia Saudite, Algjeria dhe Kuvajti, tashmë kanë bërë reduktime më të mëdha se sa që kërkohej në marrëveshjen e 10 dhjetorit.

Ministri saudit i energjisë, Khalid al Falih, ka thënë se prodhuesit tashmë kanë eliminuar nga tregu 1.5 milionë fuçi naftë më ditë.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS e ka cituar Novakun duke thënë se Rusia e ka reduktuar prodhimin duke e zvogëluar atë për 100 mijë fuçi në ditë.

Burimet ruse të ministrisë së energjisë thonë se në tërësi eksportimi i naftës nga Rusia shkon deri në 11.1 milionë fuçi në ditë.

Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Algjeria dhe Venecuela krahas vendeve të tjera që nuk janë pjesë e OPEC-së, Rusia dhe Omani janë takuar në Vjenë për të gjetur mënyrat se si të verifikojnë që 24 vendet nënshkruese të marrëveshjes së dhjetorit, që kishte qëllim reduktimin e prodhimit të naftës, janë duke e respektuar marrëveshjen në fjalë.

Prodhuesit janë duke e shqyrtuar mundësinë e heqjes nga tregu edhe të 1.8 milionë fuçive naftë në ditë për gjashtë muajt e ardhshëm me shpresën sepse kështu reduktojnë furnizimin e tepruar dhe me këtë mundësojnë rritjen e mëtutjeshme të çmimeve të naftës.

Çmimet ndërkombëtare të naftës janë rritur duke shkuar në 58 dollarë për fuçi pasi OPEC dhe disa shtete që nuk janë anëtare të kësaj organizate janë pajtuar të zvogëlojnë prodhimin.

Gjatë Forumit Ndërkombëtar të Ekonomisë në Davos të Zvicrës, ministri saudit, Al Falih ka përmendur mundësinë për një reduktim tjetër të prodhimit nga vendet anëtare të OPEC-së, gjatë këtij viti, nëse çmimet bijnë sërish.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG