Ndërlidhjet

Senatori McCain e përkrahë miratimin e Tillersonit si Sekretar Shteti 


Senatori republikan, John McCain

Senatori republikan nga Arizona, John McCain ka thënë se ai do e përkrahë ish shefin e kompanisë, Exxon Mobil, Rex Tillerson të bëhet Sekretari i Shtetit, megjithë lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin.

McCain i ka thënë sot televizionit amerikan, ABC se “nuk ka qenë vendim i lehtë” marrja e këtij vendimi dhe se ai është “shumë i kujdesshëm” në përkrahjen që i jep Tillersonit ditën kur Senati do të votojë për miratimin e tij, më 23 janar.

McCain ka thënë se Tillerson e ka bindur atë se e meriton përkrahjen pas disa takimeve private. Ai ka shtuar se ai gjithashtu beson se presidentëve të rinj duhet dhënë mundësinë kur janë në pyetje përzgjedhjet për postet në administratën e tyre.

Krahas Tillersonit, Senati pritet që nesër gjithashtu të votojë për emërimin e Mike Pompeo në krye të Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA.

Por, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer ka thënë sot se Partia Demokratike nuk do të ngutet të votojë nominimet e presidentit Donald Trump.

Schumer ka thënë se do të ketë “debate të hollësishme” për shumicën e nominimeve.

Vetëm dy nominime të presidentit Trump janë miratuar deri më tash.

XS
SM
MD
LG