Ndërlidhjet

Opozita kërkon pezullimin e dialogut me Serbinë


Kuvendi i Kosovës - Deputetët opozitar

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë dalë me qëndrime të përbashkëta kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë, në formatin dhe përmbajtjen aktuale.

Në një konferencë të përbashkët për media, përfaqësuesit e këtyre tri partive politike thanë se vazhdimi i dialogut, "në kohën kur Serbia mbanë në fuqi urdhër arrestet kundër figurave politike të Kosovës, në kohën kur ndërton mure ndarëse në Mitrovicë dhe në kohën e nisjes së një treni provokues", është i pakuptimtë.

Andaj, opozita kërkoi që dialogu të pezullohet dhe për këtë të deklarohet edhe Kuvendi i Kosovës.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se në fillim të procesit të dialogut, qeveria kishte premtuar se me anë të këtij procesi Kosova do të fitoj në fund njohjen e saj nga Serbia, do të fitoj në procesin e integrimit evropian dhe do të integroj komunitetin serb.

Të tri premtimet, vijoi ai, nuk janë realizuar, madje sipas tij, Serbia i ka intensifikuar veprimet e saj kundër shtetit të Kosovës, kurse përafrimi i Kosovës me BE-në është sfiduar seriozisht.

“Tani kemi nevojë që ta rishqyrtojmë dialogun”, ka thënë Konjufca.

Dialogun me Serbinë, sipas tij, asnjë qeveri nuk mund ta sheh si një të drejtë të saj, pasi që pozicioni i Kosovës në këto bisedime, duhet të jetë konsensus i rrafshit nacional.

Si masë kundër vazhdimit të dialogut në formën aktuale, tri partitë opozitare thanë se do të thirrin një seancë parlamentare, ku do të shqyrtohet pozicioni i Kosovës në bisedime, përfshi edhe kërkesën për pezullim të dialogut.

XS
SM
MD
LG