Ndërlidhjet

May lavdëron përkushtimin britanik për paqen në Kosovë


Përkushtimi britanik për ruajtjen e paqes edhe në Kosovë është një nga arsyet pse kryeministrja britanike, Theresa May mendon që vendi i saj mund të krenohet në përballjen me sfidat e sigurisë.

"Kjo është arsyeja pse Britania është vend udhëheqës, krahas Shteteve të Bashkuara, i koalicionit që punon me sukses për mundjen e Daeshit (grupit Shteti Islamik), arsyeja pse ne jemi pajtuar që të dërgojmë 800 trupa në Estoni dhe Poloni si pjesë të pranisë së shtuar të NATO-s në Evropën lindore…dhe arsyeja pse ne e kemi shtuar përkushtimin tonë në operacionet paqeruajtëse në Kosovë, Sudanin Jugor dhe Somali”, ka thënë May derisa iu drejtohej me fjalim ligjvënësve republikanë në Filadelfia të SHBA-së.

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump ka shqetësuar disa vende evropiane kur deklaroj se NATO është e “vjetëruar”, ndërsa ka kritikuar ashpër vendet anëtare të saj që nuk e kanë plotësuar kushtin e investimit të 2 % të Bruto Prodhimit Vendor në sektorin e mbrojtjes. Kësaj deklarate duket se i bënte jehonë edhe shefja e qeverisë britanike.

"Ditët kur Britania dhe Amerika kanë intervenuar në vendet sovrane në përpjekje për t’i ribërë ato sipas mënyrës tonë, kanë përfunduar. Por, ne s’mund të përballojmë që të qëndrojmë pa reaguar kur kërcënimi është real, dhe kur është në interesin tonë të intervenojmë”, ka thënë May.

May tha se kritikat për vendet e NATO-s qëndrojnë, por vlerësoi se liritë e siguruara nga SHBA dhe Britania për Evropën lindore, duhet mbrojtur.

"Ne nuk duhet të rrezikojmë liritë që presidenti Reagan dhe ish kryeministrja britanike Margaret Thatcher ia kanë sjellur Evropës Lindore duke e pranuar pretendimin e presidentit rus Putin se tani ajo pjesë është zona e tij e ndikimit”, ka thënë shefja e qeverisë britanike.

Gjatë fjalimit të saj që disa herë është ndërprerë nga duatrokitjet entuziaste të republikanëve amerikanë, shefja e qeverisë britanike ka kaluar jo pak kohë duke këshilluar ata sidomos në raport me Rusinë.

"Kur është fjala për Rusinë, shpesh është punë e mençur të kujtosh shembullin e presidentit Ronald Reagan, i cili gjatë negociatave me liderin sovjetik, Mikhail Gorbachev, i është përmbajtur fjalës së urtë, “beso, por verifiko”, ka thënë kryeministrja britanike.

"Me presidentin Putin, këshilla ime është “angazhohuni, por keni kujdes”, ka thënë May.

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump ka thënë se ai dëshiron bashkëpunim më të madh me Rusinë në çështje si lufta kundër terrorizmit dhe çështjen e Sirisë, duke sugjeruar se ai mund të heqë sanksionet që administrata e Obamës ia ka vendosur Moskës si reagim ndaj aneksimit të Krimesë.

May megjithatë ka shtuar se nuk “ka asgjë të paevitueshme në konfliktin në mes të Rusisë dhe perëndimit, por ka paralajmëruar se po aq lehtë mund të kthehemi në ditët e Luftës së Ftohtë.

“Por, ne duhet të angazhohemi me Rusinë nga një pozicion i fuqisë, dhe ne duhet të ndërtojmë marrëdhëniet, sistemet dhe proceset që e bëjnë bashkëpunimin më të mundshëm se sa konfliktin”, ka thënë ajo. (A.H)

XS
SM
MD
LG