Ndërlidhjet

Merkel bisedon me Trump të shtunën, Gabriel takohet me Pence javën e ardhshme


Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Kryediplomati i ri gjerman, Sigmar Gabriel, do të zhvillojë bisedime me administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump në SHBA gjatë javës së ardhshme, shkruan gazeta “Handelsblatt”, transmeton Reuters.

Paraardhësi i Trump, Barack Obama ka pasur marrëdhënie shumë të mira me kancelaren gjermane, Angela Merkel, por presidenti i ri amerikan e ka nisur punën duke e kritikuar ashpër sidomos politikën e Merkelit për refugjatët.

Socialdemokrati Gabriel, që ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Trumpit, do të takohet me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe të nominuarin e Trumpit për Sekretar Shteti, Rex Tillerson, shkruan gazeta “Handelsblatt” duke u mbështetur në burime anonime qeveritare gjermane.

Gabriel së fundi ka hequr dorë nga posti i ministrit të ekonomisë për të zëvendësuar Frank Walter Steienmeierin në postin e ministrit të jashtëm, në një ceremoni të mbajtur sot.

Reuters e citon një burim anonim i cili thotë se Merkel me gjasë të shtunën do të bisedojë me Trumpin, një bisedë që pritet të fokusohet rreth Rusisë.

Nuk është ende e qartë, shkruan më tej Reuters, nëse Trump do të bisedojë për heqjen e mundshme të sanksioneve amerikane që janë vendosur ndaj Rusisë për shkak të veprimeve të kësaj të fundit në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG