Ndërlidhjet

Trump dhe Putin - bisedojnë me telefon


Donald Trump (majtas) dhe Vladimir Putin
Donald Trump (majtas) dhe Vladimir Putin

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, pritet që më vonë gjatë ditës së sotme të bisedojnë me telefon.

Kjo do të ishte biseda e parë prej inaugurimit të zotit Trump dhe hapi i parë në ndryshimin e madh potencial në raportet ndërmjet ish-dy armiqve të Luftës së Ftohtë.

Biseda e planifikuar telefonike, e konfirmuar në Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini, bëhet në periudhën e raporteve në Uashington se Trump po e shqyrton mundësinë e tërheqjes së sanksioneve të imponuara kundër Rusisë, nga paraardhësi i tij, Barack Obama, për shkak të rolit të Rusisë në Ukrainë dhe për shkak të ndërhyrjes së Moskës gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane, nëpërmjet sulmeve kibernetike.

“Sa u përketë sanksioneve, është shumë herët të flitet për këtë”, u tha dje Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Por më vonë gjatë ditës, zoti Trump është shprehur më ndryshe, pasi u tha gazetarëve në Uashington se “ne do të shohim se çka do të ndodhë”.

Gjatë fushatës së tij, Donald Trump e ka lavdëruar presidentin Putin dhe ka shfaqur shpresë për marrëdhënie të përmirësuara me Rusinë, të cilat ishin përkeqësuar rëndë për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, për shkak të mbështetjes së separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës dhe intervenimit ushtarak në Siri.

XS
SM
MD
LG