Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë shkakton luftë fjalësh për tregti me disa shtete


Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe këshilltari i tij më i afërt për tregti, Peter Navarro, kanë shkaktuar luftë fjalësh me Japoninë, Gjermaninë dhe Kinën, duke i akuzuar ato se e kanë ulur vlerën e monedhave të tyre për të përfituar në mënyrë jokorrekte në tregti.

Presidenti Trump i pari e filloi këtë luftë duke u thënë mbrëmë udhëheqësve të kompanive të ilaçeve në Shtëpinë e Bardhë se “vendi ynë udhëhiqet aq keq sa që ne nuk kemi kurrfarë njohurish për devaluimin...shikoni atë që bën Kina dhe atë çka ka bërë Japonia gjatë viteve dhe ata kanë luajtur në tregun e parave dhe tregun e devaluimit, ndërsa ne kemi qëndruar në vend të palëvizshëm”.

Peter Navarro, këshilltar për tregti i presidentit Trump ka reflektuar kritikë të ngjashme në një intervistë për të përditshmen londineze, Financial Times, duke thënë se Gjermania “vazhdon t’i eksploatoj vendet e tjera në BE dhe po ashtu, Shtetet e Bashkuara, me një deutche mark të nënkuptuar, që është në masë të madhe e nënvlerësuar”.

Kjo kritikë e Navarros ka shkaktuar ngritje të shpejtë të euros kundër dollarit amerikan, ndërsa kancelarja Angela Merkel, tha se vlera e euros është e përcaktuar nga Banka Qendrore Evropiane dhe se ajo nuk ndikon në pavarësinë e saj.

Këshilltarët e saj ishin më pak diplomatikë dhe e akuzuan Trumpin për politika “protekcioniste” të rrezikshme”.

Japonia tha se komentet e Trumpit “janë krejtësisht të gabuara”.

XS
SM
MD
LG