Ndërlidhjet

Për mos-rrënimin e murit në Mitrovicë, opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë


Kuvendi i Kosovës - deputeti Pal Lekaj
Kuvendi i Kosovës - deputeti Pal Lekaj

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë paraqitur me qëndrim të përbashkët në lidhje me siç u tha “mosrespektimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për rrënimin e murit në Mitrovicë”.

Marrë parasysh se Rezoluta kërkonte që ky muri të rrënohej deri më 31 janar, deputetët e grupeve parlamentare opozitare, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Pal Lekaj nga AAK dhe Haxhi Shala nga Nisma, përmes një konference të përbashkët kanë prezantuar pikat kryesore të qëndrimeve të tyre.

“Moszbatimi i kësaj Rezolute, është vazhdimësi e shkeljeve të rezolutave të mëhershme nga ana e qeverisë së Kosovës”, ka lexuar deklaratën e përbashkët të opozitarëve, deputeti Pal Lekaj.

“Kjo është një praktikë e përhershme dhe mënyrë e qeverisjes së koalicionit PKD-LDK”, ka theksuar ai.

Shpërfillja e Kuvendit nga ana e Qeverisë, sipas tij, tregon përcaktimin e Qeverisë për shkelje konstante të demokracisë që vjen si pasojë e mungesës së përgjegjësisë qeverisëse.

Njëherësh, opozita ka kritikuar Qeverinë për vazhdimin e dialogut pa kushte me Serbinë, i cili sipas Lekajt i solli vetëm dëme politike Kosovës.

Në fund, opozita ka kërkuar që Qeveria të jap dorëheqje për t’i dhënë mundësi vendit që të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

XS
SM
MD
LG