Ndërlidhjet

Tillerson betohet para presidentit Trump


Sekretari i ri i Shtetit, Rex Tillerson
Sekretari i ri i Shtetit, Rex Tillerson

Ish-shefi i kompanisë, ExxonMobile, Rex Tillerson, ka dhënë betimin solemn përpara presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë inaugurimit të tij në postin e Sekretarit të Shtetit.

Zoti Trump i tha Tillersonit se “gjithë jeta juaj ju ka përgatitur për këtë moment”, gjatë ceremonisë së betimit në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën në mbrëmje.

Presidenti Trump e ka lavdëruar përvojën e madhe ekzekutive të Tillersonit, duke u marrë me qeveritë e jashtme, siç është Rusia, si shef i kompanisë gjigante të naftës, ExxonMobile, dhe kjo e bënë atë të përgatitur për postin e diplomatit më të lartë amerikan.

Më herët gjatë ditës, Rex Tillerson u konfirmua në Senatin e Shteteve të Bashkuara, meqë për të votuan 56 vetë, ndërsa 43 ishin kundër. Katër senatorë demokratë iu bashkuan 52 senatorëve republikanë në miratimin e zotit Tillerson.

Nominimi i tij ishte kundërthënës, pasi gjatë punës së tij si shef i firmës, ExxonMobile, që është kompania me vlerën më të madhe në treg në gjithë botën, Tillerson i kishte mbikëqyrur shpimet madhore dhe eksplorimet në gjithë botën, përfshirë Rusinë.

Derisa presidenti Trump dhe shumë republikanë e shohin zotin Tillerson si një zyrtar të çmueshëm, ai i ka brengosur demokratët në Senat, të cilët e akuzojnë se mund të jetë tejmase pajtues me Rusinë.

Kritikët kanë shqetësime se ai do të synojë t’i tërheq sanksionet ekonomike të imponuara për shkak të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, dhe për mbështetjen aktive të Moskës për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Kompania ExxonMobile ka punuar me firmën gjigante shtetërore ruse, Rosnef, në projektin masiv, në vlerë prej shumë miliarda dollarësh, për projekte të shpimit në Arktik, kur administrata e ish-presidentit, Barack Obama, zbatoi sanksione ekonomike kundër Rusisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG