Ndërlidhjet

Vuçiq dhe Nikoliq bëjnë thirrje për ‘ruajtjen e paqes’

  • RFE /RL

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se të enjten, në orët e pasdites, do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, siç tha, për t’i njoftuar me zhvillimet në Bruksel pas takimit të radhës me delegacionin e Kosovës.

“Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkaq nga Prishtina nuk presim asgjë”, ka porositur kryeministri serb Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Beqej, duke theksuar se situata është e komplekse.

Megjithatë, Vuçiq nuk ka dashur që para gazetarëve të komentojë detajet e takimit në Bruksel, duke thënë se nuk varet gjithçka nga pala serbe. Ai ka theksuar se nuk dëshiron ta shkelë fjalën e dhënë Bashkimit Evropian dhe të dalë me informata në opinion.

Ndërkaq, kabineti i kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq ka njoftuar se në takime të ndara me ambasadorët e Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nikoliq i ka informuar ata për rrjedhën e dialogut në Bruksel.

Siç thuhet në komunikatën e kabinetit të Nikoliqit, ky i fundit i ka njoftuar ambasadorët lidhur me “sjelljen e delegacionit të Prishtinës” në bisedimet në kuadër të takimin të së mërkurës në Bruksel.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se bashkëbiseduesit e takimit kanë ardhur në përfundim që në ditët e ardhshme është e nevojshme “që të vazhdohet dialogu dhe të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon”, si dhe se “nuk guxohet të lejohet që të arrihet deri te çfarëdo rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në Kosovë”.

Rrethi i dytë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën në mbrëmje në Bruksel, me nivel të lartë të përfaqësimit politik, ka përfunduar pa rezultate konkrete megjithëse shefja politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se "është e inkurajuar me angazhimin konstruktiv, që kanë treguar të dyja palët". (REL)

XS
SM
MD
LG