Ndërlidhjet

Haley: Sanksionet kundër Rusisë mbeten deri sa të kthehet Krimeja


SHBA-ja mban sanksionet ndaj Rusisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:12 0:00

SHBA-ja mban sanksionet ndaj Rusisë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, ka shprehur “dënim të ashpër të aksioneve të Rusisë” në pjesën lindore të Ukrainës dhe ka tërhequr vërejtjen se sanksionet e ndërlidhura me Ukrainën kundër Rusisë nuk do të tërhiqen, derisa Krimeja t’i kthehet Ukrainës.

“Krimeja është pjesë e Ukrainës. Sanksionet tona të ndërlidhura me Krimenë mbesin ashtu siç janë, derisa Rusia ta kthejë kontrollin e gadishullit tek Ukraina”, tha Nikki Haley në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ajo tha se “Ukraina Lindore, natyrisht, nuk është e vetmja pjesë e vendit që vuan për shkak të aksioneve agresive të Rusisë” dhe se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta dënojnë këtë dhe ftojnë për përfundim të menjëhershëm të okupimit rus të Krimesë”.

Ambasadorja Nikki Haley tha se është për “keqardhje” që në paraqitjen e saj të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo duhet ta dënoj Rusinë, me të cilën tha se Uashingtoni “dëshiron përmirësim të raporteve”.

“E konsideroj fatkeqe që me rastin e fjalimit tim të parë këtu, unë duhet t’i dënoj aksionet agresive të Rusisë. Është për keqardhje, pasi është përsëritje në shumë instanca gjatë disa viteve, në të cilat përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara është dashur ta bëjnë këtë. Nuk do të duhej të ishte kështu. Ne dëshirojmë përmirësim të raporteve tona me Rusinë. Megjithatë, situata e tmerrshme në pjesën lindore të Ukrainës është e tillë që kërkon dënim të qartë dhe të fuqishëm të aksioneve të Rusisë", tha Nikki Haley.

Rusia e mori kontrollin ndaj Krimesë në mars të vitit 2014, pasi kishte dërguar trupa dhe duke e mbajtur një referendum, i cili ishte dënuar si jolegjitim nga Ukraina dhe 99 vende të tjera në Kombet e Bashkuara.

Kundër konstatimeve të ambasadores Haley për Krimenë, është shprehur ambasadori i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vitaly Churkin.

“Ambasadorja Haley në deklaratën e saj e ka prekur çështjen e Krimesë. Këtu ne duhet ta theksojmë atë që thuhet në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara: Ne populli. Mirë, populli i Krimesë e ka shprehur vullnetin e tij në referendum. 93% e popullatës votoi në favor të unifikimit me Rusinë, nga e cila Krimeja ishte shkëputur në mënyrë jolegjitime dhe të paarsyeshme”, tha Vitaly Churkin.

Prej prillit të vitit 2014, kur filloi konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më se 9,750 njerëz.

Luftimet janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit.

Zyrtarët ukrainas më herët kanë raportuar për tetë ushtarë të vrarë gjatë pak ditëve të kaluara, që paraqet rritje të numrit të të vrarëve. Luftëtarët separatistë dhe civilët, po ashtu, janë vrarë dhe plagosur.

Në Shtetet e Bashkuara, senatori republikan, John McCain, tha se Rusia po e teston presidentin amerikan, Donald Trump, duke e përshkallëzuar dhunën në Ukrainë.

Zoti McCain, kritik i rregullt i presidentit Donald Trump, në një letër dërguar atij, ka kërkuar që Trump ta furnizojë me pajisje ushtarake vdekjeprurëse qeverinë e Kievit.

“Kjo rritje e sulmeve, që filloi ditën pasi Putini bisedoi me ju me telefon, është indikacion i qartë se Vladimir Putin po lëvizë me shpejtësi për t’ju testuar juve si komandant suprem. Përgjigja e Amerikës do të ketë pasoja të qëndrueshme”, ka shkruar McCain, në letrën e publikuar nga Zyra e tij.

Por, Vladimir Putin, nga ana e tij, për përshkallëzim të luftimeve e ka fajësuar palën ukrainase.

“Udhëheqjes së Ukrainës i duhen para dhe mënyra më e mirë për të pasur pagesa nga BE-ja, SHBA-ja dhe organizatat ndërkombëtare, është duke u paraqitur si viktimë e agresionit”, tha Putin gjatë viztitës në Budapest të Hungarisë, ku u takua me kryeministrin e këtij vendi, Viktor Orban.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG