Ndërlidhjet

Rumani: Social demokratët mund ta pezullojnë dekretin që nxiti protesta masive 


Fotografi nga një prej protestave në Rumani

Subjekti politik në pushtet në Rumani, Partia Social Demokrate po kërkon zgjidhje për dalje nga kriza e cila u nis pas miratimit të një dekreti qeveritar që hiqte nga Kodi Penal disa akuza për korrupsion.

Lajmi është bërë i ditur nga udhëheqësi i partisë, Liviu Dragnea.

Komentet e tij janë bërë në kohën kur në Rumani po mbahen protesta masive kundër asaj që demonstruesit vlerësojnë se është dobësim i ligjeve kundër korrupsionit.

Dragnea, i cili pritet të mbaj takim me figurat kryesore të partisë për këtë çështje ka thënë: “Mund të ketë bisedime edhe për tërheqjen e dekretit nëse këtë e dëshiron kryeministri”.

Megjithë protestat disa ditore në Bukuresht, dhe qytete të tjera, qeveria deri më tash nuk ka pranuar ta pezullojë dekretin e miratuar më 31 janar.

Më 3 shkurt, policia rumune ka thënë se nëpër rrugët e qyteteve të Rumanisë kanë protestuar një çerek milioni njerëz.

Dekreti lejon që të evitohet dënimi me burg për zyrtarët e përfshirë në marrje ryshfeti, kur vlera nuk kalon 47 500 dollarë.

Dekreti është miratuar gati një muaj pasi qeveria social demokrate e kryeministrit Sorin Grindeanu e ka nisur punën.

Presidenti Klaus Iohanis, e ka kundërshtuar kryeministrin, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria thotë se masa e miratuar ka qenë e nevojshme që Rumania të përshtatet me direktivat e Bashkimin Evropian.

Vendet perëndimore si Gjermania dhe SHBA-ja, kanë shprehur shqetësim për dekretin emergjent që është miratuar nga qeveria.

XS
SM
MD
LG