Ndërlidhjet

Gjykata amerikane hedh poshtë apelin e Departamentit të Drejtësisë për rikthimin e ndalim-udhëtimit të Trumpit


Protestat kundër urdhrit të Trumpit të 27 janarit
Protestat kundër urdhrit të Trumpit të 27 janarit

Gjykata e Apelit ia ka hedhur poshtë kërkesën Administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, që menjëherë të rikthehet në fuqi urdhri ekzekutiv i 27 janarit, që ndalon të gjithë refugjatët dhe vizitorët nga shtatë vende me popullatë kryesisht myslimane, të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Apeli i Qarkut të 9-të në San Francisco e ka hedhur poshtë kërkesën e dorëzuar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së duke thënë se ka nevojë të dëgjojë argumente jo vetëm nga administrata e Trumpit, por edhe nga shteti i Washingtonit, i cili e ka bërë padinë kundër urdhrit të presidentit amerikan.

Me këtë, beteja ligjore rreth ndalim udhëtimit e presidentit Trump, do të vazhdojë javën e ardhshme.

Ankesa ishte dorëzuar vetëm disa orë pasi një gjykatës federal në Seattle e ka pezulluar përkohësisht urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump në tërë SHBA-në. Mirëpo, me vendimin e ri të panelit prej tre gjykatësve të Apelit, pezullimi i përkohshëm në tërë SHBA i urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump mbetet në fuqi, deri në një vendim tjetër.

Pas vendimit të gjykatësit James Robart, presidenti amerikan ka reaguar në Twitter duke e quajtur atë “i ashtuquajturi gjykatës”, ndërsa e ka hedhur poshtë “opinionin” e Robart duke e quajtur “qesharak”.

Trump, gjithashtu, ka shkruar se vendimi i gjykatësit në Seattle do të “hidhet poshtë”.

Disa orë më pas, Trump ka vazhduar të shkruajë në Twitter kundër vendimit të gjykatësit të Seattle.

“Në çfarë gjendje ka ardhur vendi ynë kur një gjykatës mund ta ndalojë një ndalim udhëtimi të Sigurisë Kombëtare duke mundësuar që të gjithë, edhe ata me qëllime të këqija të mund të hyjnë në SHBA?”, ka shkruar Trump.

Para apelit, poseduesit e vizave nga shtatë vendet me popullatë kryesisht myslimane që janë prekur nga urdhri i Trumpit, kanë marrë sugjerimin që sa më shpejt të futen nëpër aeroplanë të linjave drejtë SHBA-së, nga frika se mundësia e dhënë nga vendimi i gjykatësit federal të Seattlet, mund të hidhet poshtë nga Gjykata e Apelit.

“Ne po iu themi atyre që të kapin fluturimet më të shpejta (që është e mundshme)”, ka thënë Rula Aoun, drejtor i Ligës për të Drejtat Civile të Amerikano-Arbavë në Dearborn të Miçigenit.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka filluar të zbatojë pezullimin e përkohshëm të ndalim udhëtimit duke pranuar refugjatët, përfshirë edhe sirianët, një zyrtar i ka thënë Reutersit. Të parët pritet të arrijnë më 6 shkurt.

Një nga zëdhënësit e Kombeve të Bashkuara i ka thënë gazetës “The New York Times” se rreth 2 mijë refugjatë janë gati të udhëtojnë.

Paneli i Apelit i përbërë nga tre gjykatës do të merret tani me ankesën e Qeverisë amerikane. Paneli përbëhet nga një gjykatës i emëruar nga presidenti Bush, dhe të tjerë nga ish-presidentët demokrat, njëri nga Jimmy Carter dhe tjetri nga Barack Obama.

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar më 27 janar nga Donald Trump ndalon edhe vizitorët me viza amerikane nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni që të hyjnë në SHBA për një periudhë prej 90 ditësh. Urdhri gjithashtu pezullon pranimin e të gjithë refugjatëve për 120 ditë, ndërsa e ndalon në tërësi edhe pranimin e refugjatëve nga Siria.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG