Ndërlidhjet

Kritika ndaj Trumpit për mbështetjen e tij për Putinin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, është ballafaquar me kritika nga republikanët dhe demokratët për komentet e tij me të cilat e mbrojti presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste televizive.

Në intervistën e transmetuar mbrëmë, gazetari i rrjetit FOX News, Bill O’Reilly, e pyeti Trumpin se a e respekton Putinin.

“Po e respektoj atë. Unë i respektoj shumë njerëz, por kjo nuk do të thotë se do të bashkohem me të. Ai është lider i vendit të tij. Them që është më mirë të jemi së bashku me Rusinë se sa të mos jemi, dhe nëse Rusia na ndihmon neve në luftën kundër ISIS-it, që është luftë madhore, dhe nëse Rusia na ndihmon neve në luftën kundër terrorizmit islamik në gjithë botën, kjo është gjë e mirë. A do të bashkohem me të? Nuk kam ide”, tha Donald Trump.

Gazetari O’Reilly iu kundërvu duke thënë “por ai është vrasës, megjithatë” dhe ka shtuar se “Putin është vrasës”.

Trump është përgjigjur:

“Ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës. Çka mendoni, vendi ynë është aq i pafajshëm”, tha Donald Trump.

Këtë çështje e ka komentuar lideri republikan në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell.

“Nuk mendoj se ekziston barazi me mënyrën se si rusët e udhëheqin vetveten dhe mënyra me të cilën këtë e bëjnë Shtetet e Bashkuara”.

“Ai është ish-agjent i KGB-s, bandit, nuk është zgjedhur në mënyrën që pjesa më e madhe e njerëzve e konsiderojnë zgjedhje kredibile”, i tha senatori McConnell rrjetit CNN.

Senatori tjetër republikan, Ben Sasse, nga Nebraska, i cili shpeshherë ishte kritik ndaj Trumpit, po ashtu i ka kritikuar komentet e presidentit amerikan.

“Nuk ka ekuivalencë morale ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit me dashurinë më të madhe për liri në histori të botës, dhe banditëve vrasës, që janë në mbrojtje të nepotizmit të Putinit”, i tha Ben Sasse rrjetit televiziv, ABC.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, njëherësh këshilltar i ish-presidentit, Barack Obama, komentet e presidentit Donald Trump, i ka përshkruar si “të neveritshme”.

Kremlini ka kërkuar falje nga rrjeti Fox News për komentet lidhur me presidentin Putin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG