Ndërlidhjet

Rusia, Turqia dhe Irani diskutuan për armëpushimin në Siri


Alepo, Siri. Shkurt, 2017.
Alepo, Siri. Shkurt, 2017.

Rusia, Turqia dhe Irani diskutuan të hënën zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Siri dhe u pajtuan që të takohen sërish gjatë këtij muaji.

Asnjë dokument nuk u nënshkrua në rrethin e dytë të bisedimeve në Astana të Kazakistanit, ku përfaqësues të Kombeve të Bashkuara ishin po ashtu të pranishëm.

Por, Ministria e Jashtme e Kazakistanit tha se sesioni ka përfshirë bisedime për zbatimin e armëpushimit, si dhe një propozim nga opozita siriane në lidhje me ndërprerjen e armiqësive.

Në rrethin e parë të bisedimeve, më 23-24 janar, nuk është shënuar përparim drejt një zgjidhjeje politike të konfliktit 6-vjeçar në Siri, por palët janë pajtuar që të krijojnë një mekanizëm, i quajtur Grupi i Përbashkët Operacional, për të monitoruar armëpushimin e brishtë në Siri.

Ky grup përfshin ekspertë nga Rusia, Turqia dhe Irani.

Moska dhe Teherani mbështesin qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në luftën civile, ndërsa Ankaraja mbështet opozitën.

Rreth 300,000 sirianë janë vrarë në këtë luftë, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur qysh në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG